Miliarderi amerikan, Bill Gejts në tekstin autorial në “Uashington post” paralajmëron se SHBA-ja e lëshoi mundësinë për të qenë një hap para koronavirusit të ri, por se akoma nuk është vonë të sillen vendime të rëndësishme nga të cilat do të varet numri i rasteve të vdekjes, por edhe rikuperimi i ekonomisë.
Ai thekson se në bisedë me shumë ekspertë dhe liderë ka konkluduar se nevojitet të ndërmerren tre hapa.
Gejts thekson se nevojitet qasje konsekuente nacionale për zgjidhje të problemit, më pas rritje e vëllimit të testimit dhe së treti, krijimi i bazës së vetme të të dhënave, bazuar në shkencë, e cila do të punojë në zhvillimin e vaksinës.
“Edhe përkundër thirrjeve të ekspertëve dhe autoriteteve në disa shtete plazhet edhe më tej janë të hapura, në të tjera restorantet edhe më tej janë përplot. Disa mund të udhëtojnë lirshëm kudo që duan, sikur edhe virusi”, thekson Gejts, duke shtuar me atë rast se e tërë kjo është reçetë për katastrofë.
Ai potencon se duhet të bëhet e qartë se çdo konfuzion i vazhdon problemet ekonomike, i rritë mundësitë që Kovid-19 të kthehet dhe të shkaktojë raste më të mëdha të vdekjes.
Gejts, si hap të dytë e cekë rritjen e testimeve dhe publikimin e rezultateve, përderisa hapi i tretë është krijimi i bazës së vullnetarëve potencial për hulumtime klinike.
“Që t’i vihet fundi sëmundjes, nevojitet një vaksinë e sigurt dhe efikase. Nëse punojmë siç duhet, mund ta kemi për së paku 18 muaj”, thekson bashkëthemeluesi i Majkrosoftit.
Ai paralajmëron se do të duhet të prodhohen miliarda doza të vaksinave.
“Siç pamë këtë vit, para nesh është rrugë e gjatë. Por, edhe më më tej besoj se nëse tani sjellim vendime të drejta, të bazuara në shkencën, të dhënat dhe përvojën e ekspertëve mjekësorë, mund të shpëtojmë jetë dhe ta kthejmë vendin atje ku ishte”, thekson Gejts.