Ambasadorja amerikane në vend Kejt Bërns, sot në fjalimin e nënshkrimit të marrëveshjes për grant mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së vlerësoi se vendi ka bërë përparim të rëndësishëm pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe pranimit në NATO, por porositi se ky hap duhet të mirëmbahet.
“Periudha që vijon do të jetë thelbësore për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut si një aleat i prosperuar që kontribuon në stabilitetin në rajon. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes historike të Prespës në 2018, si dhe hyrjes në NATO dhe dritës jeshile për negociatat e pranimit me BE-në në vitin 2020, Maqedonia e Veriut ka bërë një hap të dukshëm përpara. Por, ky hap duhet të mirëmbahet dhe shansi duhet të përdoret edhe në kohë sfidash të mëdha. Ne e dimë që në të ardhmen mund të ketë sfida, të tilla si korrupsioni, nepotizmi, madje edhe institucionet jofunksionale, të cilat e pengojnë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt qëllimeve të saj,” tha Bërns.
Liderët e qeverisë, tha Bërns, duhet të përballen me mospërputhjet e shpeshta midis pritjeve të larta te opinioni për anëtarësim në BE dhe peshës reale të reformave që duhet të zbatohen si parakusht për hyrje në Union.