BallinaLajmeBDI kërkon largimin e menjëhershëm të Bilall Kasamit, kundërshton shpërbërjen e Këshillit...

BDI kërkon largimin e menjëhershëm të Bilall Kasamit, kundërshton shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dalë sërish me reagim ndaj qasjes politike të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.Sipas BDI-së, Kasami edhe një herë ka treguar para qytetarëve mungesë fuqie politike dhe institucionale.Në komunikatën e saj, kjo parti vlerëson se, duke mos qenë në gjendje të marrë përgjegjësi dhe të japë zgjidhje për problemet e Tetovës, ai po përpiqet ta mbulojë dështimin përmes tezave për zgjedhje të reja për Këshillin e Komunës së Tetovës.

Në reagimin e plotë, BDI shprehet se Bilall Kasami, i njohur që në rini për vargjet e lavdisë kushtuar Josip Broz Titos, më pas pjesë e koalicionit parazgjedhor “Mozheme”, ndërsa sot pjesë e një Qeverie pa legjitimitetin e shqiptarëve, e ka shfaqur në disa raste pafuqinë e tij politike para opinionit.

Sipas tyre, kjo është parë kur Kryeministri ia ndërpreu fjalën publikisht, në raportet e tij me ministra të Qeverisë, si dhe edhe tani, kur, sipas BDI-së, ai nuk po tregon guxim politik për të mbrojtur emrat e rrugëve dhe shesheve të Tetovës.

BDI thekson se në vend të hapave konkretë, Kasami po nxjerr teori juridike të paqena, ndërsa në vend të përgjegjësisë po kërkon alibi. Po ashtu, sipas kësaj partie, në vend të bashkëpunimit për zgjidhjen e çështjes, ai po përpiqet të prodhojë një krizë artificiale dhe më pas ta përdorë si arsye për zgjedhje të reja.

Në komunikatë thuhet edhe se, për hir të së vërtetës, BDI nuk e ka propozuar si pikë të rendit të ditës të njëjtën listë emrash që është abroguar nga Gjykata Kushtetuese. Sipas tyre, lista e propozuar përmban gjithsej 67 emra dhe, për këtë arsye, kjo çështje nuk mund të shërbejë as si shkak dhe as si pretekst për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës.

Më tej, BDI vlerëson se Bilall Kasami duhet të heqë dorë nga shmangia e përgjegjësisë dhe të punojë me këshilltarët dhe forcat politike për ta zgjidhur këtë problem në dobi të Tetovës dhe banorëve të saj.

Megjithatë, sipas kësaj partie, duket se ai ende nuk ka marrë leje nga OBRM-PDUKM-ja për të votuar nismën e shqiptarëve për rikthimin e emrave të rrugëve dhe shesheve, të cilët, sipas reagimit, janë abroguar në mënyrë antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

BDI ngre pyetjen nëse Bilall Kasami ka marrë ose jo leje nga OBRM-PDUKM për ta votuar nismën e shqiptarëve. Sipas saj, nëse ekziston vullneti, ai duhet ta votojë, ndërsa nëse nuk guxon, duhet ta deklarojë publikisht se është në pritje të lejes nga partnerët e tij qeveritarë.

Në fund, BDI deklaron se nëse Bilall Kasami dhe partnerët e tij kërkojnë zgjedhje, atëherë ai nuk duhet të fshihet pas shpërbërjes së Këshillit Komunal. Sipas partisë, ai duhet të japë menjëherë dorëheqje nga posti i Kryetarit të Komunës së Tetovës dhe më pas të shkohet në zgjedhje.

Në reagim thuhet gjithashtu se një kryetar komune që nuk arrin të zgjidhë asnjë problem të vetëm të Tetovës, që për çdo dështim kërkon justifikime, që përgjegjësinë ua hedh të tjerëve dhe që për çdo vendim pret sinjal nga partnerët e tij në Qeveri, nuk mund të mbajë peng as Këshillin Komunal dhe as qytetarët e Tetovës.

BDI përmbyll duke theksuar se, nëse Bilall Kasami dëshiron zgjedhje, ai nuk duhet ta sakrifikojë Këshillin për të shpëtuar veten, por duhet të japë dorëheqje dhe të përballet vetë me qytetarët e Tetovës.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments