BallinaLajmeBajram Rexhepi-BDI-Tetovë, uron fillimin e vitit të ri shkollor

Bajram Rexhepi-BDI-Tetovë, uron fillimin e vitit të ri shkollor

GËZUAR VITIN E RI SHKOLLOR!

FËMIJËT TANË MERITOJNË MË SHUMË SE PREMTIME TË THYERA!

Sot, më 1 shtator, oborret e shkollave mbushen përsëri me zëra, çanta shumëngjyrëshe dhe buzëqeshje fëmijësh. Për fillestarët është takimi i parë me shkronjat, mësuesit, shokët dhe me një botë të re që duhet t’u hapë dyert e dijes.

Të dashur nxënës,

Ju uroj një vit me shumë kureshtje, guxim dhe suksese. Mësuesve u dëshiroj durim e përkushtim, ndërsa prindërve gëzimin dhe krenarinë për çdo hap përpara të fëmijëve të tyre.

Por një urim i sinqertë nuk mund të na detyrojë t’i mbyllim sytë para së vërtetës.

Dashuria ndaj fëmijëve nuk dëshmohet me fotografi ceremoniale pranë bankave shkollore. Ajo dëshmohet me disiplinë, përgjegjësi dhe me mbajtjen e fjalës së dhënë, sidomos atëherë kur kjo është e vështirë.

Në qershor, Komuna e Tetovës u premtoi fillestarëve mbështetje prej 6.150 denarësh, e cila duhej të paguhej në fillim të korrikut. Kaluan korriku dhe gushti, ndërsa sot fëmijët u ulën në bankat shkollore pa e marrë mbështetjen e premtuar.

Tani na thuhet se llogaria e Komunës është e bllokuar dhe se paratë shkojnë te përmbaruesit. Por kjo nuk e zvogëlon përgjegjësinë, e bën pyetjen edhe më të rëndë…Përse u bë një premtim, kur gjendja financiare e Komunës dihej ose duhej të dihej?

Fëmijët ndoshta nuk e kuptojnë çfarë janë Thesari, bllokada apo përmbaruesit. Por ata e kuptojnë shumë mirë kur të rriturit gënjejnë e nuk e mbajnë fjalën.

Edhe shifrat janë alarmante. Komuna priste 1.025 fillestarë, ndërsa deri më 1 shtator janë regjistruar vetëm 865 – 74 më pak se vitin e kaluar dhe një nga shifrat më të ulëta të viteve të fundit. Pas çdo banke të zbrazët qëndron një familje që është larguar dhe një pjesë e së ardhmes që Tetova po e humb.

Ndërkohë, Komuna figuron me mbi 864 milionë denarë detyrime të maturuara e të papaguara, me shkolla fillore e të mesme të zhytura në borxhe, ndërsa programet vjetore të shkollave u tërhoqën nga rendi i ditës së Këshillit pa një sqarim bindës për qytetarët.

Kështu, viti që duhej të fillonte me shpresë, filloi me borxhe, paqartësi dhe një tjetër premtim të thyer.

Megjithatë, nuk do të lejojmë që dështimi i institucioneve t’ua vjedhë fëmijëve buzëqeshjen e ditës së parë. Mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit janë forca që do ta mbajë gjallë shkollën edhe kur pushteti harron përgjegjësinë që bart.

Do të kërkojmë që çdo denar i premtuar të paguhet, çdo llogari të jetë transparente dhe çdo përgjegjësi të ketë emër.

Sepse karakteri moral i një pushteti nuk matet nga ajo që u premton fëmijëve para kamerave, por nga ajo që bën për ta pasi kamerat të jenë fikur.

Fëmijët nuk kanë për detyrë të presin derisa pushteti të mësojë përgjegjësinë.

🤗 Gëzuar 1 Shtatorin dhe mbarësi në vitin shkollor 2026/2027!

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments