Avokati i njohur shqiptar, Spartak Ngjela përmes një porosie në rrjetet sociale ka komentuar zhvillimet aktuale që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Reagimi i tij i plotë:
Në Maqedoninë e Veriut po vendosen masa ekstreme kundër të drejtave etnike të shqiptarëve, të cilet janë aty e vetmja etni historike. Prandaj këto masa ekstreme që po kërkohen nga Serbia drejt Maqedonisë së Veriut, në thelb janë një shkelje flagrante e Marrëveshjes së Ohrit.
Prandaj pikërisht për këtë fakt, na duhet të theksojmë se:
Gjithçka në Maqedoninë e Veriut qëndron tek pyetja: a është kushtetues trajtimi i shumicës qeverisëse sllave kundrejt shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut?
Po, tani është shumë e qartë që ndërkohë nga sllavët është shkelur marrëveshja e Ohrit, që, në parimet bazë të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut theksohet qartë se:
“Karakteri shumëetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike “.
Por sot i gjithë reaksioni maqrdon dhe serb është në veprim kundër gjuhës shqipe dhe procesit të të drejtave të njeriut dhe personalitetit shqiptar, të kombësisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Por ne duhet të kujtohemi se sot, popullsia shqiptare në Maqedoninë e Veriut e ka kaluar shifrën e mbi një milionë shqiptarëve; por që gjithçka është e manipuluar me forcë nga Serbia dhe nga pushteti maqedon në Maqedoninë e Veriut.
Por e gjithë kjo përpjekje është e kotë. Shqiptarët tani janë forcë politike dhe ushtarake me dy shtete në Balkanin Perëndimor, dhe pikërisht ky fakt i ka shqetësuar sllavët nga Moska në Beograd e nga Beogtadi në Shkup.
Forca që ka marrë e po rimerr bota shqiptare në Gadishullin Ilirik, dhe trajtimi i historisë së Arbërisë klasike, në të gjithë historiografinë korente në universitetet e mëdhenj perëndimorë, ka ngritur tensionin sllav.
Por nuk kanë se çfarë t’u bëjnë shqiptarëve. Sidomos tani që është në zë të plotë ndërkombëtar anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe gjithashtu edhe mundësia që, edhe e Kosova të jetë një anëtare në NATO gjithashtu, por edhe drejt Bashkimit Evropian, njëlloj si Shqipëria.
Prandaj, pikërisht për këtë arsye që shprehëm: Sot po kuptohet qartë që skema e bashkimit kombëtar të shqiptarisë është pikërisht fakti që ajo të mund të bëhet, sepse edhe Kosova mund të hyjë në NATO dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Të gjithë ne shqiptarët duhet ta kuptojmë sot se bashkimi ynë kombëtar është shumë në interes të Bashkimit Evropian, sidomos tani që politika amerikane po e lë Bashkimin Evropian të ecë me forcat e vete në strukturën e tij ushtarake të mbrojtjes. Por, pikërisht për këtë, dihet historikisht që pozicioni gjeografik i Shqipërisë është një strukturë natyrore superiore në të gjithë detin Adriatik.
Dhe prandaj, pikërisht kjo, do shihet shpejt se, në Bashkimin Evropian, do të krijojë një kërkesë të fortë për bashkimin kombëtar të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Prandaj edhe Prishtina, edhe Tirana politike duhet të veprojnë me përparësi drejt këtij procesi bashkues, sepse, duke qenë në favor të Bashkimit Evropian, ky bashkim do të kërkohet domosdoshmërisht nga politika ekonomiko-ushrarake e Bashkimit Evropian.
Ja, këto janë shenjat që sot po dallohen qartë, sepse po kuptohet sak sot se shqiptaria e bashkuar është një interes i madh evropian.
Prandaj, me vëmendje kombëtare permanente, politika shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë duhet të jetë shumë e impenjuar, dhe gjithmonë nën një kujdes racional, në marrëdhëniet ndërkombëtare drejt Bashkimit Evropian, me të dy shtetet shqiptare në Gadishullin Ilirik.