Më në fund, pas një dekade zvarritje e keqpërdorime, përfundimisht rihapet Teatri i Shkupit. Urime të gjithë artistëve dhe artdashësve, atyre që për një dekadë e kanë pritur këtë ditë dhe për aq kohë u është ndaluar hyrja në këto dyer.
Sot jemi këtu për t’ju thënë se u ndalohet hyrja funksionarëve të lartë të BDI-së, që për më shumë se një dekadë mbajtën peng këtë kështjellë të kulturës shqiptare. I kemi parë në shumë raste duke keqpërdorur ngjarje sportive, kulturore e madje edhe manifestime të fëmijëve edhe pse nuk kanë pasur as të drejtë e as ndonjë meritë për ato ngjarje.
Por, sot ka edhe një dallim. Ata përveç që nuk kanë meritë për këtë rihapje, kanë edhe faj për vonesën më shumë se një dekadë. Kanë faj për keqpërdorimet e parave të qytetarëve, për lënien pa punë artistët dhe pa shfaqje artdashësit. Ata kanë edhe faj të madh kombëtar, faj për shkatërrimin e kulturës shqiptare me çdo veprim dhe vendim.
Ju zotërinj, shkatërrues të kulturës shqiptare, duhet të jepni llogari dhe të mbani përgjegjësi! Për ju nuk ka vend në ulëset e Teatrit, por në bankat e të akuzuarve!