Ditëve të fundit në vendin tonë, derisa po afrohen zgjedhjet lokale, partia e gjelbërosur në pushtet, ka vijuar ta krekoset krenohet me të arriturat e opozitës shqiptare, e veçanërisht me projektet e Alternativës, kur ne qeverisnim me Ministrinë e Kulturës.
Të gjendur në këtë situatë, derisa ata pa u skuqur dhe pa i përmendur fare meritat e atyre që realisht i kanë kryer projektet, dëshirojmë që përmes këtij reagimi ta njoftojmë opinionin se projektet kulturore shqiptare në Ministrinë e Kulturës kanë përfunduar në kohën e Alternativës. Tash shohim vetëm foto-sesione, si çdoherë para fushatave zgjedhore.
Ndonëse opinioni shqiptar vendas e di mirë se cila është storja jonë në Ministrinë e Kulturës, duam t’ua kujtojmë këtyre shqiptarëve të gjelbërosur vetëm disa nga të arriturat tona në qeverisjen me dikasterin e kulturës gjatë viteve 2018-2020:
1) Gjatë qeverisjes sonë me Kulturën e përmbyllëm fazën e parë për Teatrin e Tetovës, ndërsa për fazën e dytë të projektit në fjalë kishim “ndërkëmbëza” të binomit LSDM-BDI, të cilët si partnerë koalicioni e bllokuan projektin;
2) Në kohën tonë u fillua dhe në afat rekord u përfundua projekti i Pallatit të Kulturës në Vrapçisht;
3) Gjatë qeverisjes së Alternativës me Kulturën u fillua projekti i Pallatit të Kulturës në Komunën e Bogovinës, ndërsa fatkeqësisht sivjet Ministria e Kulturës as nuk ka hapur konkurs për përmbylljen e këtij projekti;
4) Po ashtu edhe në Komunën e Likovës, gjatë qeverisjes sonë me Kulturën, e filluan punën për ndërtimin e Qendrës Kulturore në atë komunë, por – për fat të keq – edhe për atje Ministria e Kulturës këtë vit nuk ka hapur konkurs për vazhdimin e punimeve;
5) Projekti “Teatri Shqiptar” i Shkupit ishte një ndër projektet më të rëndësishme gjatë qeverisjes sonë. Ne arritëm t’i përfundojmë të gjitha procedurat për lëshimin në përdorim, por ishin ndërkëmbëzat e binomit LSDM-BDI që na bllokuan ta bëjmë pranim-dorëzimin. E tash, pak para zgjedhjeve lokale, shkon aty kryetari i partisë së gjelbërosur dhe fotografohet në meritat e dikujt tjetër.
Ndonëse njerëzit e kulturës e dinë fare mirë se kur ka pasur mbështetje për kulturën në vendin tonë, nuk mund të mos e theksojmë se pasi që ne e kemi vënë gozhdën e fundit të punës sonë në Ministrinë e Kulturës, këta që kanë ardhur pas nesh, përfshirë të gjelbërosurit dhe shqipfolësit e LSDM-së, le që nuk i kanë vazhduar ato punë dhe le që nuk kanë vazhduar aty ku e kemi lënë, por kanë shkuar duke e degraduar kulturën shqiptare njësoj si në kohën e Gruevskit.
Për fund po ju kujtojmë se, gjatë qeverisjes sonë me Kulturën, ne i ndamë 45% nga buxheti për kulturën shqiptare, ndërsa ata pa u skuqur fare i pengojnë projektet kulturore shqiptare, ndërsa fotografohen me projektet tona.
AlternAtivA – Shkup