Alket Veliu / Frika e Edi Ramës nga PDIU

88

PDIU është fiksimi i Edi Ramës në këtë fushatë zgjedhore. Pesha elektorale, në rritje të vazhdueshme, e partisë që përfaqëson interesat e komunitetit çam, e ka rënduar sëmundjen e tij, është bërë një enjtje, lëngatë ligështuese, një paralajmërim i fundit të tij politik. Rama e di më mirë se kushdo se roli i PDIU-së në këto zgjedhje ka një kuptim sinjifikativ, ndryshe nga çdo forcë tjetër politike, sepse ajo është e vetmja parti që udhëhiqet nga arsyeja kombëtare dhe, sistematikisht, e ka demaskuar në shkallën më të lartë antikombëtarizmin e tij. Ndaj, shumë kohë përpara fillimit të fushatës, i është vërsulur me tërbim kësaj partie që ka guxuar, përtej retorikës patriotike, të denoncojë dhe të dënojë rëndë para publikut shqiptar aferat e tij të tradhtisë kombëtare. Kryeministri, në detyrë edhe për 20 ditë, po lundron në universin individualist modern, njëlloj si Hitleri dikur, duke u përpjekur të shkatërrojë hierarkinë e vlerave politike, që nuk i bëjnë karshillëk pushtetit të tij egalitarist.Kërkimi i mandatit të tretë është vetëm në dukje qëllimi i tij i mirëfilltë, për të mbaruar punët e lëna përgjysmë. Në të vërtetë ai kërkon një mandat extra në shërbim të antishqiptarizmit dhe përmbushjes së marrëveshjeve të ortakërisë me fqinjët, në dëm të çështjes shqiptare . Për Ramën ka shumë arsye për të anatemuar partinë kombëtare PDIU, mbrojtëse e kauzës çame. Dikur hebrejtë ishin të domosdoshëm për Hitlerin, njëlloj si çamët në mandatin e parë të Ramës. Megjithatë Hitlerit s’i hiqej nga mendja ideja për t’i zhdukur ata, dhe në fund ai vendosi t’i shfaroste. Njëlloj si Rama në zgjedhjet e 2017-ës, që vodhi pa pikë turpi mandatin e PDIU-së në Tiranë.Për Hitlerin arsyeja ishte se hebrejtë përbënin, sipas tij, antinatyrën që e nxjerr historinë nga rrjedha e saj normale. Te Rama vëmë re një paralelizëm me Fyhrerin. Rama do të ngrejë sistematikisht vullnetin e tij kundër vullnetit të përfaqësuesve të Çamërisë, të marrë me mend. Ai sheh tek PDIU pikërisht atë parti që ia zë në fyt “darkën e shijshme” me kryeministrin grek, pas tradhtisë së hidhur të çështjes çame. Në rast se humbet thellë në këto zgjedhje, natyrisht ai do ia vërë fajin çamëve, që është munduar t’i përçajë me gjithfarë marifetesh. Ka bërë të gjitha përpjekjet për “trafikuar” votat e çamëve në 25 prill, por e tundon frika se nuk do t’ia arrijë dot të asgjësojë potencialin elektoral të PDIU-së, por një pjesë të vetes së tij.