BallinaLajmeAli Ahmeti apo Jeton Shasivari: Njëri duhet ta paguajë faturën politike!

Ali Ahmeti apo Jeton Shasivari: Njëri duhet ta paguajë faturën politike!

Ironi politike

Mendoj se boshti më i fortë i këtij shkrimi është përplasja politike mes dy pretendimeve: Ali Ahmeti, i cili për 22 vjet e ka ndërtuar një pjesë të autoritetit të tij politik mbi mbrojtjen e të drejtave shqiptare, dhe ministri Jeton Shasivari, i cili tani, në emër të një zgjidhjeje që e mbështet VLEN-i me VMRO-në, po e çon çështjen e provimit të jurisprudencës para Komisionit të Venecias.

Ali Ahmeti, mirë apo keq, për më shumë se dy dekada ka ditur ta bëjë politikën e vet. Ka ditur të mbajë pushtetin, të ndërtojë autoritet politik dhe ta paraqesë veten si një nga garantuesit kryesorë të të drejtave shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Por, ja që për herë të parë që nga themelimi i BDI-së, Ahmeti po i drejtohet publikisht një ministri me letër të hapur, duke i tërhequr vërejtjen se me pranimin e modelit të propozuar për provimin e jurisprudencës mund të kalojë në anën e tradhtisë së interesave shqiptare.

Mesazhi drejtuar Jeton Shasivarit nuk duket si një debat i zakonshëm politik. Është një paralajmërim me ngarkesë të rëndë politike: mos e kalo këtë vijë, sepse nesër do të mbash përgjegjësi para shqiptarëve!

Por këtu fillon paradoksi.

Nëse Ali Ahmeti e konsideron modelin e propozuar nga ministria si cenim të të drejtave shqiptare, atëherë lind një pyetje që nuk mund të shmanget: Ku ishte kjo vendosmëri gjatë 22 viteve të BDI-së në pushtet?

A është e mundur që pas 22 vitesh qeverisjeje, pas gjithë atyre marrëveshjeve, koalicioneve, ministrave dhe premtimeve për avancimin e gjuhës shqipe, provimi i jurisprudencës të mbetet ende një çështje për të cilën studentët shqiptarë duhet të dalin në protesta?

Apo tani, kur BDI-ja nuk është në pushtet, është më e lehtë të flitet për tradhti, vijë të kuqe dhe interesa kombëtare?

Nga ana tjetër, Jeton Shasivari duket se ka zgjedhur një rrugë tjetër politike. Në bashkëpunim me partnerët e tij qeveritarë, VLEN-in dhe VMRO-në, ai e ka çuar modelin e propozuar para Komisionit të Venecias, duke kërkuar një vlerësim kushtetues dhe juridik.

Por Komisioni i Venecias nuk është strehë politike ku mund të fshihet përgjegjësia e askujt. Ai mund të japë mendim profesional, por përgjegjësinë politike për zgjidhjen e propozuar e mbajnë ata që e kanë hartuar dhe ata që do ta votojnë.

Dhe këtu Jeton Shasivari duhet ta kuptojë se barra politike mbi supet e tij është shumë më e madhe sesa duket. Sepse studentët shqiptarë nuk kërkojnë një zgjidhje 84 me 16, as një kompromis ku dhjetë provime zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa dy provimet praktike mbeten në maqedonisht. Ata kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet plotësisht në gjuhën shqipe.

Nuk mund të quhet barazi një e drejtë që në gjysmën e rrugës kthehet në përkthim!

VLEN-i dhe VMRO-ja, me këtë çështje, po e vënë në provë edhe mitin politik të Ali Ahmetit.

Për vite të tëra, BDI-ja e ka ndërtuar legjitimitetin e saj mbi trashëgiminë e UÇK-së dhe mbi pretendimin se vetëm ajo mund t’i mbrojë interesat shqiptare në institucionet e shtetit. Tani, një qeveri pa BDI-në në pushtet po tenton të prodhojë një zgjidhje tjetër, por pikërisht kjo zgjidhje po kundërshtohet nga studentët dhe po e detyron Ahmetin të reagojë publikisht.

Nëse modeli i Shasivarit kalon, Ahmeti do të duhet të shpjegojë pse për 22 vjet nuk u arrit ajo që sot e kërkon me letra të hapura. Nëse modeli dështon, Shasivari dhe partnerët e tij qeveritarë do të duhet të shpjegojnë pse e paraqitën si zgjidhje një kompromis që nuk i plotëson kërkesat e studentëve shqiptarë.

Pra, kjo nuk është më vetëm çështje e një provimi juridik. Është një provim politik për të dyja palët.

Dhe nëse Komisioni i Venecias jep rekomandime që e vënë në pikëpyetje modelin e propozuar, atëherë askush nuk do të mund të fshihet pas deklaratave për standarde evropiane. As Shasivari, as VLEN-i, as VMRO-ja.

Ndërsa Ali Ahmeti, i cili aktualisht ndodhet në Zvicër, në thojza për festat e Nëntorit ,por si duket Mickoski mbase mund të jetë takuar me të diku në diasporë dhe e ka njohtuar për vendosjen e flamurit nacional shqiptar edhe në komuna gjithëandej ku ka shqiptarë… që në kohën e pushtetit 22 vjeçar të Ali Ahmetit nuk ndodhi …nëse dëshiron të vazhdojë të flasë në emër të 22 viteve të pushtetit, duhet të japë përgjigje edhe për atë që nuk është bërë gjatë atyre viteve… vendndodhia eAli Ahmetit për festat e flamurit duhet të jetë në Maqedoni …?!

Në fund, duket sikur kemi ardhur në një situatë ku dy politikanë po ia kalojnë njëri-tjetrit faturën e një problemi që shqiptarët e kanë prej vitesh.

Ose Ahmeti duhet ta pranojë se 22 vitet e pushtetit nuk e zgjidhën çështjen, ose Shasivari duhet ta pranojë se modeli i tij nuk e përmbush kërkesën për barazi të plotë gjuhësore.

Njëri duhet të përballet me faturën e së kaluarës, tjetri me përgjegjësinë e së tashmes.

Siç do të mund të thoshte Shekspiri, po ta kishte ndjekur politikën shqiptare në Maqedoni:

To be or not to be – të jesh apo të mos jesh!

Por në këtë rast pyetja është pak më shqiptare:

Të jesh në pushtet dhe të mos e zgjidhësh, apo të vish në pushtet dhe ta quash kompromis atë që studentët e quajnë gjysmë të drejtë?

Sepse në fund, den baba den, shqiptarët nuk kanë nevojë për heronj të letrave të hapura. Kanë nevojë për të drejta që funksionojnë në praktikë...

P.S Ali Ahmeti ose Jeton Shasivari njëri prejt tyre ikën nga skena politike dhe do i bartin pasojat politike den baba den

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments