Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa paralajmërojnë përkrahjen e tyre për formimin e një qeverie të re dhe për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme.
“Çdo iniciativë që do të sigurojë stabilitet, me shumicë stabile parlamentare, do të ishte në shërbim të funksionimit politik për të mirën e qytetarëve. Në kuadër të këtij synimi, e përkrahim idenë për qeveri të zgjeruar që do ta përgatisë vendin për zgjedhje lokale dhe parlamentare”, kanë thënë nga koalicioni ASH-AAA.
Siç ka raportuar Alsat-M, BDl për momentin nuk ka qëndrim lidhur me kalkulimet për formim të një qeverie të re. nga ana tjetër, në LSDM thonë se mund të ketë zgjerim të shumicës aktuale.
“Nuk duhet të habitemi nëse deputetë nga opozita i bashkohen shumicës parlamentare pikërisht për shkak të politikave pozitive që janë në interes të qytetarëve dhe shtetit. Qytetarët dhe deputetët janë të lodhur nga pengesat e panumërta, bllokadave dhe destruktivitetit të VMRO-DPMNE-së”, thonë nga LSDM, duke komentuar paralajmërimin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, për formim të një shumice të re.