19.1 C
Tetovo
E shtunë, 18 Maj, 2024
BallinaOpinionAkademik Prof.Dr.Abdulla Mehmeti / KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E FIGURËS...

Akademik Prof.Dr.Abdulla Mehmeti / KUJT I SHËRBEN DENIGRIMI DHE NJOLLOSJA E FIGURËS SË RILINDËSIT REXHEP VOKA, ME KËTË EDHE I SHIPKOVICËS DHE BANORËVE TË SAJ (IV)

Reagim me sqarime në mbrojtje të së vërtetës (4)

Me shkas, pamfletet e publikuar gjatë viteve të fundit për denigrimin e figurës së Rexhep Vokës, nga disa individë, qarqe intelektuale, qendra politike dhe medie, sidomos gjatë muajit Nëntor, kur shqiptarët i festojnë ngjarjet më të rëndësishme të historisë së tyre, Ditën e Njësimit të Abecesë së Gjuhës Shqipe (1908), Ditën e Flamurit dhe Pavarësinë e Shqipërisë (1912), për t’i dhënë peshë dhe rëndësi kësaj propagande të huaj ndër shqiptarët, sidomos te brezi i ri, i painformuar mjaftueshëm për rëndësinë e këtyre ngjarjeve nga historia e lavdishme e kombit shqiptar, si dhe nga mungesa e njohurive për figurën rilindësit Rexhep Voka dhe rolin e veprës së tij për arsimin dhe kulturën, shkollën shqipe, gjuhën amtare, lirinë dhe pavarësinë kombëtare të shqiptarëve, nga fillimi i shekullit njëzet deri në ditën e sotme.

* * *

PSE DISA INDIVIDË DHE QARQE POLITIKE PËRPIQEN TA DENIGROJNË FIGURËN E REXHEP VOKËS DHE TA FALSIFIKOJNË VEPRIMTARINË E TIJ ARSIMORE E ATDHETARE?

4.

Me këtë rast, duhet të sqarojmë se, këto reagime janë me shkas, pas publikimit të disa shkrimeve dhe pamfleteve gjatë viteve të fundit, që lidhen me fenomenin e falsifikimit të historisë, denigrimin e personaliteteve të shquar shqiptarë, të aktualizuar një kohë të gjatë nga shumë persona, medie dhe qarqe intelektuale, që nuk ua duan të mirën shqiptarëve, ku ndoshta padashur ka rënë pre e tyre edhe autorët e këtyre shkrimeve.

Ne e kemi obligim të reagojmë, jo pa argumente, dhe jo sa për ta mbrojtur figurën e Rexhep Vokës, sepse atë e mbron vepra e tij dhe veprimtaria e bujshme për çështjen shqiptare, jo vetëm si prijës fetar, por edhe publicist, dijetar, organizator i zhdërvjellët dhe patriot, i pakompromis kundër robërisë e prapambetjes nën sundimet e huaja, edhe të Perandorisë Osmane, për shkak të qëndrimeve të saj kundër shqiptarëve, identitetit, historisë, gjuhës shqipe dhe shkollës në gjuhën amtare, me veprimet që i ka sjellë dëme të paparashikueshme kombit shqiptar dhe e ka penguar krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, edhe në periudhën kur janë krijuar shtetet tjera ballkanike, me ndihmën e Rusisë dhe të Fuqive të Mëdha evropiane, sidomos në periudhën kur shihej qartë se i kishte ardhur fundi kësaj Perandorie, kur shqiptarët tanimë e kishin krijuar Platformën e rizgjimit kulturor e politik të shqiptarëve, nga ideologët e Rilindjes Kombëtare.

ÇËSHTJA E BASHKIMIT TË VILAJEVE SHQIPTARE “KATËR KALEMAVE”, RRËZIMI I SULLTAN ABDYL HAMITIT TË DYTË DHE LUFTA PËR PAVARËSINË E SHQIPËRISË

Hulumtoni gjithandej në trojet etnike shqiptare në Maqedoni dhe përtej, nëse mund të gjeni një vendbanim tjetër, banorëve të së cilit i është përshkruar cilësimi, sikurse banorëve të Shipkovicës, të “Katër Kalemave” dhe ata që e “Rrëzuan Sulltan Abdyl Hamitin II”. E gjithë kjo, për shkak të kontributit të Rexhep Vokës, nga ky katund i Malësisë së Tetovës.

Këtë pjesë të reagimit do ta fillojmë në mënyrë pak të pazakonshme, përmes një pyetje që ua drejtojmë të gjithë autorëve të këtyre shkrimeve e pamfleteve, kundër figurës së Rexhep Vokës, veprimtarisë së tij arsimore e atdhetare, si dhe kundër pasuesve të ideve dhe idealeve të tij:

Nëse e shëtisni gjithë hapësirën etnike shqiptare, të gjitha viset, krahinat, qytetet e katundet, askund nuk do të hasni të cilësohet vetëm një vendbanim, sikurse katundi Shipkovicë i Malësisë së Tetovës, nga askush nuk mund të merrni ndonjë përgjigje ndryshe, sikurse për banorët e Shipkovicës, të asnjë vendbanimi tjetër, që së paku një shekull me radhë e mbajnë epitetin “të Katër Kalemave”, dhe këta “që e rrëzuan Sulltan Hamitin” (bëhet fjalë për Abdyl Hamitin II, 1842 – 1918).

Nëse udhëtoni në Tetovë, edhe sot mund të pyesni secilin banor të tij, secilin kalimtar, pavarësisht nga mosha, gjinia dhe përkatësia etnike e fetare, dhe të merrni përgjigjen e njëjtë; me shenja, duke drejtuar dorën nga Malësia e Tetovës, por edhe me zë, duke përmendur Shipkovicën dhe banorët e saj. Nëse nuk e keni ditur këtë deri më sot, duhet ta mësoni, se kjo lidhet me Rexhep Vokën, i cili e nisi nënshkrimin e një peticioni drejtuar pushtetit të atëhershëm të Perandorisë Osmane, pikërisht nga vendlindja e tij, Shipkovica dhe katundet tjera të Malësisë dhe nga qyteti i Tetovës, me kërkesa për të drejta kombëtare dhe pavarësinë e Shqipërisë, në të katër vilajetet me shumicë të banorëve shqiptarë. Ky peticion kulmoi me organizimin e Kuvendit të Ferizajit (5-23 korrik 1908), në të cilin rol vendimtar ka luajtur Rexhep Voka. Nga ky kuvend fjala e Rexhep Vokës u përcoll me brohoritje të fuqishme nga të pranishmit, por u përgatitën shqiptarët edhe me armë në dorë (flitet për një forcë prej 40-50 mijë vetë), të gatshëm të marshojnë drejtë Shkupit, sipas nevojë edhe drejtë Stambollit. Shumë shpejt filloi rebelimi edhe në radhët e ushtrisë dhe xhandarmërisë, nën udhëheqjen e oficerëve shqiptarë, që përfundoi me revolucionin e madh që solli reformat e njohura në Perandorinë Osmane, me rrëzimin e Sulltan Abdyl Hamitit II. Në këto rrethana u intensifikuan kryengritjet shqiptare, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të viseve shqiptare nga synimet e shteteve fqinje për okupimin e tyre, si dhe për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Roli që luajti Rexhep Voka në këto ngjarje, ka lënë në kujtesën e banorëve të këtyre viseve edhe këto cilësime për vendlindjen e tij dhe banorët e Shipkovicës, që nga pushtetet e huaja, sidomos nga ish regjimi komunist jugosllav u përdorën edhe si etiketa, përkrah epiteteve, nacionalist, separatist, irredentist, në përndjekjen, persekutimin dhe dënimin e shumë veprimtarëve nga ky vendbanim, numri i të cilëve për kokë banori i tejkalon të gjitha vendbanimet tjera së bashku, në Maqedoni, Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Me këto etiketa u kryen masakra të tmerrshme mbi popullsinë shqiptare. Por, banorët e Shipkovicës janë ndjerë gjithmonë krenarë për këto cilësime dhe etiketa, duke mos e mohuar asnjëherë amanetin e rilindësit të tyre Rexhep Voka dhe pasardhësve, pasues të ideve dhe idealeve për liri, pavarësi e bashkim kombëtar.

Banorët tjerë të Tetovës me rrethinë, këtë e përdorin nganjëherë për mburrje, por ka edhe prej atyre që e përdorin si etiketë dhe përçmim, sikurse edhe organet e sigurimit të ish-shtetit komunist jugosllav, OZNA, KOS, UDB, DBK etj.

Sidoqoftë, kjo është një temë e gjerë, për të cilën do të shkruajmë më gjerësisht një herë tjetër, ndërsa tani në lidhje me çështje për të cilën bëjmë fjalë, nga buron gjithë kjo urrejtje kundër Rexhep Vokës, nuk lidhet drejtpërdrejtë vetëm me figurën e dhe veprën e tij, por më tepër është fushatë e gjerë politike dhe propaganduese e qarqeve politike aktuale, për rastet që do t’i përmendim në pika të shkurtra në vazhdim.

Nuk ka pasur lajm kundër shqiptarëve në mediet e pushtetit ish-komunist jugosllav, pa u përmendur edhe vatra e nacionalizmit shqiptar, katundi Shipkovicë e Tetovës.

Nuk ka pasur stacion policie, zyrë e shërbimeve sekrete, pika kufitare kalimi, ku nuk kanë qenë të deponuara lista të gjata me emrat e “armiqve” të shtetit komunist jugosllav, në të cilat vendin kryesor e kanë zënë personalitete nga Shipkovica, duke i njëjtësuar etiketat e mëhershme: pjesëtarë të “Katër Kalemave”, pasardhës të atyre që e “Rrëzuan Sulltan Hamitin II”, me etiketa të reja “Nacionalistë”, “Separatistë”, “Irredentistë” dhe armiq të pushtetit komunist dhe të Jugosllavisë.

Nuk është formuar dhe nuk ka vepruar asnjë organizatë politike e atdhetare, që pjesëtarët e saj janë likuiduar, persekutuar apo janë dënuar me burgje të rënda nga ish-regjimi komunist Jugosllav, e të mos kenë marrë pjesë banorë të Shipkovicës, kurse pjesa më e madhe e tyre janë krijuar dhe udhëhequr nga veprimtarë e atdhetarë nga Shipkovica, që nga krijimi i Federatës së Jugosllavisë (1943-45) deri në shkatërrimin e saj (1992).

Edhe gjatë viteve të fundit, pas vitit 2001, është përhapur gjerësisht një propagandë, me përmasa fushate politike, kryesisht nga disa qarqe politike, e përkrahur dhe përhapur fatkeqësisht nga një pjesë e banorëve të vendbanimeve fqinje të Shipkovicës, që synon etiketimin dhe njollosjen e banorëve të këtij katundi, pa dallim nëse janë veprimtarë e atdhetarë të dëshmuar, apo persona të përfshirë në rrjetet e agjenturave, disa të dëshmuar me dosje sekrete si agjentë, siç ka në secilin vendbanim tjetër, me përfshirje shumë më të madhe të personave të ligë, në krahasim me personat e dëshmuar si veprimtarë të dalluar e atdhetarë. Kësaj radhe, etiketave ndaj banorëve të Shipkovicës u janë shtuar edhe këto etiketa: “shpiunë serbë”, “racë rumune” etj. Vlen të përmendim me këtë rast se, këto etiketa përdoren kryesisht, për shkak se krerët e UÇK-së dhe Shtabi i përgjithshëm, gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 kanë qenë të vendosur dhe kanë vepruar në Shipkovicë.

Këto etiketa për banorët e Shipkovicës përdoren nga disa banorë të katundeve të tjera, të cilët kanë qenë të boshatisur gjatë këtij konflikti, duke i lënë vatrat e veta, shtëpitë dhe pronat në mëshirën e forcave policore dhe ushtarake të pushtetit dhe njësive paramilitare çetnike. Si mund të shpjegohet kjo ndryshe, përveçse si kompleks inferioriteti dhe propagandë e organizuar nga qerqet shoviniste të pushtetit, ndaj atyre që nuk ka mundur ta fitojë asnjë betejë gjatë historisë.

Me këtë rast, pa u zgjatur më tepër, me shpresë se kemi dhënë shpjegime të mjaftueshme për motivet e denigrimit të figurës së Rexhep Vokës, përmes kësaj edhe të banorëve të Shipkovicës, për krijimin e mosbesimit ndër banorët shqiptarë në Maqedoni dhe jo vetëm, që të mos kenë besim ndaj asnjë iniciative që del nga Shipkovica dhe banorët e saj.

Përkundër kësaj, faktet flasin ndryshe, për një të vërtetë tjetër të madhe, të falsifikuar e shtrembëruar, të fshehur nga opinioni, si për ngjarjet që do t’i përmendim në vazhdim:

Sa herë është krijuar mundësia dhe rrethanat, gjithmonë në Maqedoni kanë filluar ndryshimet nga Shipkovica. Kjo vlen edhe për arsyen e vendosjes së Shtabit të përgjithshëm në vitin 2001, në Shipkovicë, sipas planit të përgatitur nga faktori ndërkombëtar (shih: Planin Frowik), jo vetëm pse kështu kanë vendosur krerët e UÇK-së në Maqedoni.

Asnjë anëtar i këtij Shtabi ushtarak nuk ka qenë nga Shipkovica, asnjë intelektual vendës nuk ka qenë pjesë e udhëheqjes së këtij organizimi, por edhe pas konfliktit, me krijimin e partisë politike të dalë nga kjo strukturë (BDI), si asnjëherë më parë në histori nuk ka qenë e përbuzur dhe anashkaluar inteligjencia e këtij vendbanimi. Për 23 vjet me radhë, nga ky katund nuk ka pasur asnjë, e përsëris: asnjë, deputet, ministër, apo kryetar komune, nga Shipkovica ose me prejardhje nga ky vendbanim, që nuk ka ndodhur në asnjë regjim tjetër në histori, as në regjimet më antidemokratike dhe armiqësore ndaj shqiptarëve.

Nga burojnë pra këto etiketa e poshtërime për banorët e këtij vendbanimi, kur ata vetëm e kanë kryer detyrimin e tyre atdhetar, u kanë dhënë bukë dhe i kanës strehuar bijtë e tyre, nga vendbanime të tjera, të cilët kanë ardhur në besë të banorëve në këtë vendbanim, me shpresë se ata do të veprojnë për të mirën e popullit të tyre, pas një përvoje dhjetëvjeçare të zhgënjimit nga faktori politik i mëparshëm.

Edhe më herët, për ata që nuk e kanë ditur, nga ky katund kanë filluar ndryshimet e mëdha në Maqedoni, për avancimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.

Sipas një plani sekret, mes krerëve të shtetit të Jugosllavisë dhe Qeverisë Amerikane, Nikson -Tito (hollësitë i dinë studiuesit), me synim avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe të statusit juridik-kushtues të Kosovës në ish-Federatën e Jugosllavisë, në shkëmbim të kredive të madha amerikane prej disa miliarda dollarëve, ku do të përfitonin edhe shqiptarët në Maqedoni dhe të viseve të tjera, është ngarkuar funksionari më i lartë shqiptar në atë ish-Federatë, Fadil Hoxha, ka ardhur në Shipkovicë, në vitin 1967, ku ka mbajtur një tubim të madh popullor, një vit para shpërthimit të demonstratave të njohur në Tetovës (22-23 dhjetor 1968). Me kë ka biseduar dhe për çfarë ka biseduar ky funksionar i lartë shqiptar i Federatë së Jugosllavisë (atëkohë në shkollën e këtij katundi ka qenë drejtor shkolle Nexhmedin Nezir Voka, mësues Faik Mustafa etj., ndër figurat kryesore që i kanë udhëhequr demonstratat e Tetovës, një vit më vonë (dhjetor 1968). Pse Fadil Hoxha nuk ka ardhur për të mbajtur një tubim të tillë në Tetovë apo në Shkup, por në Shipkovicë, kur edhe rruga për ardhjen e automjete është hapur me kazma nga banorët vendës, këtë e dinë vetëm ata që i njohin mirë çështjet e politikës dhe diplomacisë.

Ata që e kanë dërguar atëherë Fadil Hoxhën në Shipkovicë (1967), po ata e kanës sjellë edhe Shtabin e UÇK-së në këtë katund (2001), siç mund të sjellin edhe në të ardhmen drejtuesit e ndonjë nisme tjetër, për avancimin e të drejtave të plota dhe lirisë së popullit shqiptar në këtë shtet.

Edhe ngjarjeve të mëdha në Kosovë, shpërthimit të demonstratave të vitit 1981, në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën (11 dhe 16 mars, 1 dhe 2 prill e më vonë) u ka paraprirë një proces i madh politik, burgosja dhe dënimi në Shkup (janar 1981) i drejtuesve të një partie politike, e përsëris, parti politike e organizuar mirë dhe me shtrirje të gjerë, jo grup klandestin, një proces politik e gjyqësor që nxori në sipërfaqe, për opinionin e brendshëm e të jashtëm, idenë e heshtur me dhunë të shqiptarëve për bashkimin e trojeve etnike shqiptare të okupuara nga Jugosllavia me shtetit amë – Shqipërinë. Udhëheqësit e kësaj partie politike (Partia Kombëtare e Punës/ Partia e Bashkimit të Tokave Shqiptare/ kanë qenë Rahim Nezir Voka dhe Zaim Beqiri (nip nga vija amnore i familjes Voka), nga Shipkovica.

Kjo mund edhe të kuptohet lehtë, por nuk mund të kuptohen dhe arsyetohen shpifjet dhe propaganda ndaj banorëve të këtij katundi, i cili ka dhënë pakrahasueshëm më tepër se gjithë të tjerët, për të drejtat, lirinë dhe përparimin e popullit shqiptar në Maqedoni dhe jo vetëm!

Vazhdon…

(10 dhjetor 2023)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments