11.4 C
Tetovo
E shtunë, 4 Maj, 2024
BallinaOpinionAdelina XHAFERI / Mbro veten nga Virusi Korona me anë të një...

Adelina XHAFERI / Mbro veten nga Virusi Korona me anë të një libri!

Bota njerëzore që nga historia e krijimit të saj ka përjetuar çaste mjaft të rënda, me anë të të
cilave ose e ka njohur më mirë veten, bashkë me anën e fshehtë të saj, ose është mësuar se si të
veprojë në të ardhmen, në situata të njëjta ose në ato me elemente të ngjashme. Si e tillë, ajo
gjithmonë ka qenë e aftë dhe e fuqishme që edhe çastin më të vështirë e të zi, ta bëjë me ngjyrë
dhe veten ta mbulojë me shpresë më tepër se sa me jorgan. Është kjo një e vërtetë e njohur për të
gjithë ne. Është diçka që na flenë e na përmbush në vazhdimësi. Është diçka që e kemi gjithnjë
brenda vetes, me të rritemi, shohim ëndrra, jetojmë e plakemi, ngase nga ajo marrim forcë e
shpresë se si të përballemi me gjërat që për fat të keq bien mbi kokat tona edhe në ditë bekimi.
Bota po përjeton një makth të vërtetë. Për këtë jemi të gjithë dëshmitarë, dëshmitarë të moshave
të ndryshme, ngase edhe bota e fëmijëve ndonëse nuk e kupton diçka të tillë, së paku ia di emrin,
pra di ta identifikojë, di t’ia thotë emrin me frikë e t’ia shprehë dëshirën që t’i qëndrojë sa më
larg. Frika sa vjen e po rritet te të gjithë. Është diçka e tmerrshme të hedhësh hapat për të
rrugëtuar drejt jetës, e të ndjesh frikën e Virusit Korona, armës së padukshme, që dita-ditës po na
bën të tmerrohemi për viktimat e shumta përreth botës e për të prekurit e tjerë të pafajshëm. Na
bën të tronditemi thellë brenda vetes, dhe përsëri edhe në këtë gjendje të mendojmë për të
nesërmen, të cilën nuk e duam me ëmbëlsira të shtrenjta e në ballkone vilash fundjave, por me
një qetësi shpirtërore, ngrohtësi familjare e me lajme të mira se bota po shpëton dhe se Virusi
Korona po jep frymën e fundit. Është kjo dëshira e secilit nga ne.
Por, ndonëse për të askush nuk mund të jep të dhëna dhe shenja të sigurta, e vetmja gjë që na
takon neve të bëjmë është që të mbrohemi nga ajo bashkë me njerëzit tanë më të afërt, e me të
cilët edhe në këtë gjendje të rëndë botërore mundohemi të qeshim e të thurim ëndrra për të
nesërmen. Ndryshe, po të mos e bënim edhe këtë, brejtja e vetes sonë, që me kohë do të kishte
lënë mbi truall vetëm eshtra e kafka njerëzore.
Këshillat se si të mbrohemi nga Virusi Korona po na vijnë nga çdo anë, nga zëra të shumtë, të
cilët njëjtë si prindërit tanë, e mendojmë të mirën tonë e të botës në tërësi. Na urdhërojnë ta
mbrojmë veten dhe tjetrin. Mbrojtje e mirë përpos higjienës personale dhe të qenit larg kontaktit
fizik me të tjerët, do të ishte edhe leximi i një libri, ngase nëse Virusi Korona të detyron që tjetrin
ta kesh larg fizikisht, nuk mund të të detyrojë të mos e ndjesh afër një shkrimtar dhe personazhin

e tij, të cilin ai e solli në libër në mënyrë artistike, me tipare të ndryshme. Kjo do të ishte zgjidhja
më e mirë, e thonë njerëz të mëdhenj, njerëz të botës së letrave/shkrimeve, njerëz të njohur që
tashmë kanë bërë emër të madh, e jo vetëm ne, të cilëve profesioni detyrimisht na çon drejt
librave, drejt një bote ndryshe nga realja, por në pamundësi për t’i ikur e për ta lënë të shteret
prapa krahëve tanë të lodhur e me barë të madhe shekullore.
Libri, siç e kemi të njohur të gjithë, ka qenë dhe është një nga shoqëruesit më të mirë e më të
denjë të njeriut, nën shoqërimin e të cilit ai (njeriu) kurrë nuk ka ndjerë monotoni, vetmi dhe
pakënaqësi, ngase çdo fjalë brenda tij e bën të ndryshojë botëkuptimin mbi jetën, mbi veten, mbi
tjetrin, mbi fenomenet e ndryshme, e në veçanti të mendojë edhe për botën e madhe shpirtërore
të shkrimtarit, dora dhe mendja e të cilit para tij kanë dhënë diçka që ai s’do ta gjente askund
tjetër. Në libër përpos mendimeve të thella filozofike të shkrimtarit, ne takojmë edhe personazhe,
veprimet dhe synimet e të cilëve herë-herë kanë edhe pika të përbashkëta me ne, qofshin ato
personazhet e shkrimtarëve tanë kombëtarë, qofshin ato të huaj. Kjo është fuqia e librit, pra
tërheqja që të bën ndaj tij për t’i dalë deri në fund, për ta ndjekur, përkrahur ose akuzuar
personazhin e tij, e për një çast për ta harruar botën e egër e të sëmurë përreth nesh.
Në këtë gjendje të rëndë si kjo jona shpirtërore, ashtu edhe ajo botërore, do të ishte mirë që në
duart të merrnim një libër. Nëse nuk mund t’ia sigurojmë vetes menjëherë atë të riun, të cilit
lexuesit e shumtë po ia nxjerrin zërin e mirë, së paku ta marrim një edhe të vjetër, të fshehur aty
në raftet e gjyshit tonë, të cilin përpos duarve të tij në ditët e punës, nuk e ka prekur kush më.
Kështu, përpos që do ta bënim të afërt edhe shkrimtarin, do ta ecnim rrugën e personazhit të tij,
do të mendonim njëjtë si ai dhe do ta bënim pjesë të jetës sonë, njëherë do ta mbronim edhe
veten nga Virusi Korona, sepse kohën që ne do të duhet ta kalojmë jashtë në rrezik, do ta
kalojmë brenda të sigurt.
Librat janë të natyrave të ndryshme, me autorë të njohur e të panjohur për ne. Por, edhe
përkundër kësaj ti rrëmbeje një libër nga rafti i bibliotekës! Bëje këtë për sigurinë e botës
njerëzore! Bëje të afërt shkrimtarin, si: Kadare me romanet: “Kukulla”, “Prilli i thyer” dhe “E
penguara”, M. Isaku me romanin “Rrengu”, E. Dones me romanin “Kardigan”, Gëte me
“Vuajtjet e djaloshit Verter”, M. Kundera me romanet: “Identiteti” dhe “Shakaja”, ose poetët si:
F. Arapin, B. London, L. Poradecin, P. Nerudën, Ç. Bodlerin, Lorkën, S. Spenderin etj.

Kam shpresë se përderisa ti po e lexon librin,

, Virusi Korona do të bjerë në greminë!

Shpreso edhe ti!

Shkroi- Adelina XHAFERI

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments