10.7 C
Tetovo
E enjte, 28 Mars, 2024
BallinaOpinionAbdulla Mehmeti / Shqiptarët nuk goxojnë të sillen si palë e huaj...

Abdulla Mehmeti / Shqiptarët nuk goxojnë të sillen si palë e huaj në mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore

PSE SHQIPTARËT PËRHERË VONOHEN NË MOMENTET VENDIMTARE?

Shqiptarët nuk goxojnë të sillen si palë e huaj në mosmarrëveshjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore)Narativi për rishikimin e historisë, si shkas për hapjen e kontesteve të vjetra, për gjuhën dhe identitetin e popullit maqedonas, të riaktualizuar në kohën e fundit mes dy shteteve fqinje, Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore, nuk është i rastësishëm në fazën e hapjes së bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në Bashkimin Evropian. Përderisa pala bullgare, me institucionet e larta të pushtetit dhe institucionet akademike ngul këmbë në qëndrimet e veta, pushteti dhe institucionet shkencore të Maqedonisë Veriore, përveç qëndrimeve të veta të betonuara, duke vendosur vijë të kuqe në mbrojtjen e identitetit dhe të gjuhës maqedonase, njëherësh besojnë fuqishëm në përkrahjen ndërkombëtare për gjetjen e një zgjidhje të mundshme kompromisi me palën bullgare, përmes qeverisë aktuale të përkushtuar që me çdo kusht ta kap këtë hap historik për integrimin e vendit të BE. Më i çuditshëm në gjithë këto manovra politike dhe diplomatike gjatë ditëve të fundit është qëndrimi i faktorit politik shqiptar vendës dhe indiferenca e Tiranës dhe e Prishtinës zyrtare, jo vetëm e institucioneve të pushtetit por edhe e institucioneve shkencore, të cilat janë barikaduar në realitete të tjera jashtëkohore dhe jashtëhistorike, sikur të bëhej fjalë për ndonjë kontest të hapur mes dy shteteve të largëta, jo mes dy fqinjëve të tyre. Duke e lënë këtë çështje vetëm në duart e një klase politike të papërgjegjshme dhe të korruptuar të shqiptarëve vendës dhe të një klase intelektule të heshtur dhe nënshtruar nga politika, edhe mediet në gjuhën shqipe, duke qenë të kapura dhe në shërbim të pushtetit, më tepër hedhin mjegull mbi këtë realitet të ri që po krijohet, pa i llogaritur pasojat për popullin shqiptar vendës në Maqedoninë Veriore. Për aq më tepër, nëse merret parasysh se pushteti aktual një barë të rëndë ia ka lënë pikërisht faktorit politik shqiptar vendës, me emërimin e një shqiptari për ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë Veriore, në kohën kur duhet të debatohet dhe vendoset për një zgjidhje historike mes Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriore, me çka shqiptarët në këtë rast nuk paraqesin zërin e tyre dhe vullnetin politik të shqiptarëve për interesat e veta kombëtare, kështu duke bërë vetëm argatin e interesave të huaja.Ky truk politik, në favor të politikave të jashtme të të dyja vendeve, na përkujton dy faza të rëndësishme për zgjidhjet politike dhe territorriale në rajon në të kaluarën,nga të cilat gjithmonë janë dëmtuar interesat e popullit shqiptar dhe të trojeve etnike të tyre. Është koha kur politika, diplomacia dhe sidomos qarqet akademike shqiptare duhet të marrin një rol më aktiv në këto çështje, jo vetëm me ndihmesën për afrimin e qëndrimeve dhe gjetjen e një zgjidhje më të drejtë mes palës bullgare dhe palës maqedonase, të cilat në fund të fundit janë çështje të tyre të brendshme, por kur ato nuk i tangojnë edhe interesat e shqiptarëve, duke mbajtur llogari për interesat shtetërore edhe të shqiptarëve vendës, të cilët Maqedoninë Veriore e kanë shtet të tyre, jo shtet fqinj për fatin e të cilit mund të mos jenë gjithaq të preokupuar. Çfarëdo zgjidhje mes palës bullgare dhe palës maqedonase, që lidhet me çështje të historisë, gjuhës dhe indentitetit të popullit maqedonas mund edhe të mos paraqesë interes të drejtpërdrejtë të shqiptarëve, por nëse këto çështje lidhen edhe me interesat e shtetit të përbashkët, faktori politik dhe intelektual shqiptar gjithsesi duhet të ndërtojnë qëndrim të vetin dhe të mbajnë përgjegjësi. Historia është treguar njerkë vetëm për popujt që nuk kanë ditur t’i vlerësojnë momentet vendimtare historike, të cilat e përcaktojnë fatin dhe të ardhmen e tyre. Fatkesësisht, shqiptarët në Maqedoni gati asnjëherë nuk kanë bërë përjashtim në këto dështime në momentet më kyçe të historisë, si më 1878, 1913, 1945, 1990, 2001 dhe në vazhdimësi. (30.XI.2020)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments