Qeveria e Kosovës, ditën e martë, miratoi koncept-dokumentin që do të mundësojë konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Kështu, Ministrisë së Drejtësisë, tash i është hapur rruga të nisë hartimin e ligjit të njohur si antimafia.
Pasuria, përmes tij, mund t`iu konfiskohet të gjithëve, prej qytetarëve të thjeshtë, liderëve politikë e institutcional, e deri edhe zyrtarëve e tjerë të zgjedhur në institutcione të ndryshme të rëndësishme, ATK, Polici, Doganë, FSK e AKI. Madje kjo mund të bëhet pa e pritur fare aktgjykimin dënues.
Por, a kanë frikë figura të larta politike nga ky ligj?
Front Online ka kontaktuar me deputetin e PDK-së Xhavit Haliti, pasuria e paluajtshme e të cilit është 1 milionë e 20 mijë euro.
I pyetur nëse ndjen frikë apo jo nga ligji antimafia, ai u përgjigj kështu.
“Po çka ka m`u tut more une (qeshë)”, u shpreh shkurt ai për Front Online.
I patrembur nga ky ligj është edhe deputeti tjetër, veçse i AAK-së, Bekë Berisha. Por, jo vetëm.
“Prej cilit ligjit bre?”, pyet ai.
Gazetari i përgjigjet: Atij për konfisikimin e pasurisë.
“Jo bre nuk kemi hiç frikë prej asnjë ligji. Po çfarë frike”, ia kthen deputeti Berisha gazetarit të Front Online.
Sipas tij, nisma e Qeverisë Kurti për konfisikimin e pasurisë, është një “hajgare”.