Analizë
1.
Më 30 mars 2022, Enti Shtetëror i Statistikave i ka publikuar rezultatet zyrtare nga regjistrimi i popullsisë që u krye gjatë muajit shtator të vitit 2021. Sipas këtyre të dhënave zyrtare numri i përgjithshëm i popullsisë në Maqedoninë Veriore është 1.836.713 banorë, ndërsa numri i popullsisë jorezidente (në botën e jashtme) është 260.606 qytetarë, të cilët janë përfshirë në këtë regjistrim.
2.
Nga numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar, rezidentë dhe jorezidentë, 54,21% janë maqedonas, 29,52% janë shqiptarë, 3,98% janë turq, 1,18 janë deklaruar si serbë, 0,87 janë boshnjakë dhe 0,34% janë vllahë”. Nga popullsia rezidente, 58,44% janë maqedonas, ndërsa 24,3% janë shqiptarë.
Përveç pushtetit, gati askush nuk është i kënaqur me rezultatet e këtij regjistrimi dhe shumica e qytetarëve dyshojnë në vërtetësinë e këtyre të dhënave, sidomos në realizimin e plotë dhe transparent të këtij operacioni statistikor sipas standardeve ndërkombëtar.
3.
Siç duket, kësaj radhe më të kënaqur janë përfaqësuesit shqiptarë në pushtet, të cilët kanë arritur përmes marrëveshjes me pushtetin aktual të sigurojnë dy standarde, dy palë të dhëna për numrin e banorëve shqiptarë në këtë shtet dhe përqindjen e tyre; në numrin e përgjithshëm ku përfshihen popullsia rezidente dhe jorezidente dhe në numrin ku përfshihet vetëm popullsia rezidente, me banim të përhershëm në vend. Edhe, ky dallim mes dy lloje të dhënave nuk është i vogël, por mbi 5% e popullsisë së përgjithshme shqiptare.
Dallimi edhe më i madh në numrin e popullsisë shqiptare, sipas të dhënave zyrtare dhe të dhënave relevante jozyrtare është tepër i madh, që përfshin mbi 12% të numrit dhe përqindjes së banorëve shqiptarë në Maqedoninë Veriore.
Këto lojëra politike nuk i dëmtojnë vetëm shqiptarët, por e dëmtojnë edhe interesin e shtetit, duke pasur parasysh se këto të dhëna në radhë të parë duhet të shërbejnë për planifikimin shoqëror, ekonomik dhe zhvillimor të vendit në të ardhmen. e dëmtojnë.
4.
Në këtë proces edhe pushteti është në siklet, sepse në njërën anë duhet të luftojë kundër pretendimeve të shteteve fqinje, të cilat vazhdojnë ta mohojnë identitetin, historinë dhe gjuhën e popullit maqedonas, ndërsa në anën tjetër nuk gjejnë formulë të përshtatshme për korrigjimin e padrejtësive që u janë bërë shqiptarëve nga regjimet e mëparshme e deri më sot.
Sidoqoftë, jemi këtu ku jemi dhe sa jemi, por nga politikanët dhe pushtetarët shqiptarë, analistët, gazetarët dhe mediet nuk duhet të anashkalohen faktet e pamohueshme, pavarësisht nga qasja e pushtetit ndaj këtyre problemeve.
Nëse do të paraqitej numri real i banorëve shqiptarë në këtë shtet, sigurisht do të lindnin implikime të tjera, brenda dhe jashtë vendit (me shtetet fqinje). Niveli i ulët i demokratizimit të tyre, mungesa e tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare, si dhe paragjykimet e krijuara ndër shekuj dhe dekada ndaj shqiptarëve ende nuk janë tejkaluar, as ndër banorët vendës joshqiptarë dhe as në qarqet politike dhe shkencore të shteteve fqinje.
5.
Sidoqoftë, numri real i shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, siç kemi theksuar edhe shumë herë më parë, përmes shkrimeve, analizave dhe deklaratave publike, është shumë më i lartë se sa paraqitet sipas të dhënave zyrtare, që sipas përqindjes nuk është më i ulët se 36- 40 %.
Problemi është se numri i shqiptarëve sipas pushtetit dhe kjo përqindje nuk arsyetohen me asnjë parim të së drejtës ndërkombëtare, në lidhje me statusin juridik-kushtetues që aktualisht e gëzojnë shqiptarët në këtë shtet. Sipas Kushtetutës aktuale shqiptarët ende trajtohen pakicë kombëtare, madje edhe më keq se kaq, banorë prej 20%, të cilët flasin një gjuhë të ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonase.
Qytetarëve shqiptarë u mbet të shpresojnë se kjo gjendje do të ndryshohet, përderisa do të ketë forca politike progresive në këtë shtet, të cilat hap pas hapi janë të gatshme t’i tejkalojnë edhe këto probleme, siç i kanë tejkaluar në një masë edhe problemet e hapura të trashëguara nga e kaluara me shtetet fqinje. Por, assesi nuk duhet të shpresojnë në ndryshimin e kësaj gjendje përmes forcave politike shoviniste, viktimë e të cilave kanë rënë disa herë drejtuesit e disa partive politike të shqiptarëve, të cilët për interesa personale e grupore e kanë harruar interesin e përgjithshëm kombëtar, vlerat demokratike dhe frymën qytetëruese.
Për gjendjen e sotme të rëndë të shqiptarëve në këtë shtet nuk janë më pak fajtorë as drejtuesit e partive politike të shqiptarëve, të cilët kanë heshtur dhe nuk kanë reflektuar për pasojat e mundshme në të ardhmen, pavarësisht nga dinamika dhe rezultatet e pushtetit të vendit në procesit e integrimeve evropiane dhe euroatlantike.
(1 shtator 2022)