Lagja 146 në Tetovë vazhdon të jetë pa ujë të pijshëm edhe në këto temperatura të larta. Banorët e kësaj lagje thonë se ata detyrohen që të mbushin ujë në vende të tjera, ndërsa edhe pse në këtë lagje u gërmua, përsëri kanë ngelur pa ujë të pijshëm.
S’kemi ujë hiq nuk kemi ujë, mbushim andej e këndej, blejmë ujë për të pirë, do ta shohësh se blejmë ujë për të pirë, se di.”
Nuk kemi hiq ujë 30 vite, filluan njëherë po ja e kanë lënë vetë e shihni 30 vjet kështu e shihni pa ujë, pa kanalizim, pa asfalt, 30 vjet asnjë parti nuk ka bërë asgjë. E shihni rrinë më këtë nxehtë. Këtu u bë si në Bangalladesh. Ujë nuk ka kanalizim jo, pllakat e begatonit i rregulluan me ra një shi kaos behët.”
“Nuk ka vallah, ja s’ka ujë këtu është nuk ka ujë s’kemi çka bëjmë, mbushim andej e këndej në kojshi s’kemi as çka të bëjmë.”
Kryetari i komunës së Tetovës thotë e ky projekt ka shumë probleme.
“Është një projekt që e kemi gjetur me shumë probleme. Fillimisht gypi prurjes së ujit nga rezervuari lartë nuk është përfunduar, pasi që nuk janë paraparë të gjithë kostot dhe kanë dalë punime shtesë të cilët do të duhet të gjejmë zgjidhje juridike si do i realizojmë që të mund pastaj të gjejmë zgjidhje për rrjetin e shpërndarjes me banorët. Aty nuk është paraparë edhe kyçja e banorëve. Duhet edhe me banorët se si do realizohet edhe kyçja e banorëve në gypin e ujësjellësit. Është ndër projektet që është realizuar me shumë mangësi dhe që ne duhet që në proces e sipër t’i zgjedhim edhe realizojmë.”- deklaroi Bilall Kasami – kryetar i komunës së Tetovës.
Por i pyetur se qytetarët e kësaj lagje, a do ta kalojnë edhe këtë verë pa ujë, Kasami ngre supet.
“Nuk mund të garantoj aty për shkak se behët fjalë për procedura juridike të tenderimit të punëve shtesë të cilët kanë dalë që pasatja ata të lidhen në sistemin e ujësjellësit.”
Edhe pse tenderi për ndërtimin e pishinës dhe sjelljen e ujit të pijshëm në këtë lagje ka përfunduar vite më parë, kjo pjesë e qytetit nuk ka ujë të pijshëm. Secili kryetar që ka ardhur vetëm ka premtuar, por zgjidhje nuk ka, duke mbetur mijëra banorë pa ujë.