Ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann, tha se dërgesat e tankeve dhe armatimeve të tjera të rënda në Ukraina, sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk do të përbënin hyrje të Gjermanisë në luftë kundër Rusisë, raportojnë mediumet gjermane.
Buschmann tha se e drejta ndërkombëtare nuk thotë se dërgimi i armëve është hyrje në një luftë. Prandaj, nëse Ukraina “ushtron të drejtën e saj legjitime të vetëmbrojtjes, mbështetja përmes furnizimeve me armë nuk të shndërron në palë në luftë”, tha ai.
Shumë politikanë gjermanë dhe qytetarë kanë debatuar se sa thellë duhet të përfshihet shteti në mbështetjen e Kievit me ndihmë ushtarake, pasi Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Shtetet perëndimore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë rritur dërgesat e tyre me armë për forcat e Kievit, pas thirrjeve dëshpëruese të liderëve ukrainas që shtetet ta furnizojnë Ukrainën me armë. Gjermania i ka ofruar qindra miliona dollarë ndihmë humanitare Ukrainës.