Pushtimi rus i Ukrainës duhet të çojë në një pikë kthese në marrëdhëniet e Brukselit me Ballkanin Perëndimor, tha presidenti Stevo Pendarovski gjatë vizitës në Mal të Zi. Ai tha se pret që Brukseli të marrë vendime strategjike menjëherë. Në këtë kontekst, Pendarovski ka komentuar deklaratën e kryeministrit shqiptar Edi Rama se Shqipëria do të kërkojë shkëputje nga Maqedonia nëse vendi mbetet i bllokuar në qershor.
“Është logjike, nëse ne vazhdojmë të jemi të bllokuar nga Bullgaria, që vendet e tjera kandidate të mos duan ta lidhin fatin e tyre, rrugën e tyre drejt integrimit evropian me askënd tjetër, përfshirë edhe neve. Nuk shoh asgjë të diskutueshme në deklaratën e zotit Rama”, deklaroi Stevo Pendarovski – President.
Ambasadorja gjermane në vend, Anke Holshtajn, thotë se Berlini po përpiqet që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të vazhdojnë së bashku në rrugën e integrimit evropian. Edhe pse më parë Gjermania ishte e vendosur në qëndrimin e saj se zgjidhja e mundshme nga dialogu Shkup-Sofje nuk duhet të prekë në kornizën negociuese, Holshtajn tani nuk e përjashton këtë opsion.
“Në parim, çështjet dypalëshe nuk bëjnë pjesë në kornizën e negociatave, por në interes të gjetjes së zgjidhjes do të tentohet të shterohen mundësitë, edhe pse nuk duhet të cenohet integriteti i kornizës së negociatave”, u shpreh Anke Holshtajn – Ambasadore e Gjermanisë.
Nga Ministria e Jashtme bullgare thonë se procesi i zgjerimit bazohet në meritat e personale, duke përsëritur se kërkesa kryesore e Sofjes janë të drejtat e bullgarëve në vend.
“Sa i përket fillimit të negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE, është thelbësore që Bullgaria të arrijë rezultate të pakthyeshme në ruajtjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe marrjen e garancive të qarta në kuadër të procesit negociator të BE-së për zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë të vitit 2017. Presim garanci kushtetuese për respektimin e të drejtave të bullgarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga MPJ e Bullgarisë.
Njoftimi vjen pas takimit midis ministrave të jashtëm të Gjermanisë dhe Bullgarisë, Analena Berbok dhe Teodora Gencovska. Berbok para mediave tha se shpreson që Bullgaria do të jetë në gjendje të kapërcejë çështjet e hapura, me qëllim që të fillojnë negociatat deri në qershor. /Alsat.mk