Vetëm para dy ditëve drejtori i Agjencisë për rezervat e mallrave Resi Abduramani tha se nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim, sepse Maqedonia ka mjaftueshëm rezerva të mallrave.
Por dje presidenti serb Aleksander Vuçiq tha se Maqedonia e Veriut ka kërkuar ndihmë për grurë.
“Sot Maqedonia e Veriut na kërkoi që t’u dërgojmë 50 mijë tonë grurë dhe 25 mijë tonë misër dhe këtë mundemi ta bëjmë menjëherë pa asnjë problem. Ata blejnë grurë prej nesh dhe gjithmonë do të kemi për rajonin, për ne, për Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Shqipërinë, më pak nevojë ka Bosnja dhe Hercegovinë por kemi edhe për ta, nëse kanë nevojë”, tha Vuçiq.
Ka qenë presidenti Pendarovski i cili ka biseduar me ministrin e jashtëm të Serbisë dhe e ka pyetur nëse munden të na ndihmojnë.
“Unë personalisht e pyeta nëse munden të na ndihmojnë nëse kemi nevojë, për shkak se Serbia në territorin e saj ka grurë, ka rezerva nga më parë për shkak të relacioneve të saj specifike me Rusinë dhe Ukrainën”, tha Stevo Pendarovski, president i RMV-së.
Para disa ditësh presidenti Pendarovski e njoftoi opinionin publik se i kemi sasitë e nevojshme të produkteve themelore, por vetëm nëse kriza nuk zgjat me muaj. Maqedonia edhe pse vlen si vend i cili jeton nga bujqësia, një pjesë të madhe të produkteve i importon.