Ushtria ruse po vazhdon t’i bombardojë qytetet ukrainase tash e tetë ditë kur ka filluar agresioni. Forcat ruse s’po i lejojnë ukrainasit të evakuohen pasi po bombardon hekurudhat dhe urat. Autoritetet lokale në qytetin Mariupol thonë se Rusia po ua ndërpren rrugët e evakuimit qytetarëve të Ukrainës duke bombarduar ura e hekurudha, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Pushtuesit sistematikisht janë duke provuar që ta bllokojnë qytetin. Ky është gjenocid mbi popullin ukrainas”, ka thënë kryetari i Mariupolit, Vadym Boichenko. Ushtarët rusë po i pengojnë autoritetet ukrainase që t’i evakuojnë edhe të lënduarit, fëmijët e gratë. Si pasojë e bombardimeve, janë ndërprerë furnizimet me ujë dhe ushqim. Këshilltari i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Herashchenko ka thënë të enjten se trupat ruse e kanë rrethuar portin jugor të qytetit të Mariupolit, shkruan The Guardian. Ai tha se rusët po tentojnë që ta kthejnë këtë qytet në Leningrad.
“Okupatorët duan ta kthejnë atë në Leningrad të rrethuar,” tha ai, duke iu referuar rrethimit të qytetit të atëhershëm sovjetik nga Gjermania naziste, ku rreth 1.5 milionë njerëz vdiqën gjatë dy viteve të bllokadës.