4.7 C
Tetovo
E martë, 26 Nëntor, 2024
BallinaLajmeKorrupsioni në Ballkanin Perëndimor: Maqedonia në mesin e shteteve më të korruptuara

Korrupsioni në Ballkanin Perëndimor: Maqedonia në mesin e shteteve më të korruptuara

SELDI-i, i cili mat format më të vogla të korrupsionit, tregon se pranueshmëria e korrupsionit mbetet relativisht e lartë në Ballkanin Perëndimor. Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova shfaqin pranueshmëri më të lartë se pjesa tjetër.

Aplikimi i mjetit Diagnostikimi i Vlerësimit të Kapjes së Shtetit i “SELD” (Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet) në Ballkanin Perëndimor ka zbuluar se ekzistojnë rreziqe të konsiderueshme të kapjes së shtetit. Presioni i kapjes së shtetit në rajon mbetet ende në nivele të larta. Rezultatet tregojnë se asnjë nga vendet nuk është afër kapjes së plotë të shtetit, por ka cenime kritike në funksionimin e kontrolleve dhe të ekuilibrave demokratikë dhe ekonomikë. Gjithashtu, Sistemi i Monitorimit të Korrupsionit (SMK) i SELDI-it, i cili mat format më të vogla të korrupsionit (ryshfetit), tregon se pranueshmëria e korrupsionit mbetet relativisht e lartë në Ballkanin Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova shfaqin pranueshmëri më të lartë se pjesa tjetër.

RRITET PRESIONI I KORRUPSIONIT

Njëherësh, gjetjet e SLEDI tregojnë se në krahasim me 2016-ën presioni i korrupsionit në vitin 2019 u rrit në katër nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Bosnja dhe Hercegovina, e ndjekur nga Mali i Zi, Kosova dhe Serbia. Vetëm Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pësuar një rënie të lehtë të presionit të korrupsionit. Këto rezultate tregojnë se vendet nën presion politik më të lartë nga BE dhe me një qëllim të qartë afatshkurtër në horizontin e tyre të pranimit në BE,

kanë shfaqur një performancë më të mirë. Gjetjet e tregojnë praninë e fortë të mundësuesve mjedisorë siç janë organizatat publike jo-efektive, të cilave ju mungon integriteti, paanëshmëria dhe protokollet e fuqishme anti-korrupsion. Analizat, gjithashtu tregojnë simptoma aktuale të presionit të kapjes së shtetit nga biznesi, për shembull, monopolizimi që ndodh në nivel kombëtar, sektorial ose institucional.

Presioni i monopolizimit është më i larti në Shqipëri dhe Kosovë. Nivele të konsiderueshme janë regjistruar gjithashtu në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Serbi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Raporti tregon simptomat e zhvillimeve të tilla në sektorët kryesorë ekonomikë. Një nga këta sektorë është energjetika, për shkak të niveleve të larta të përqendrimit, mungesës së transparencës dhe strukturës joefikase të qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore si dhe të mungesës së mbikëqyrjes së duhur rregullatore.

LEGJISLACIONI ANTI-KORRUPSION

Në gamën e mjeteve ligjore anti-korrupsion, vendet e rajonit kanë arritur përparimin më të madh në zhvillimin e akteve ligjore, duke përfshirë fusha të tilla si parandalimi i konfliktit të interesit, mbrojtja e denoncuesve dhe kërkesat për deklarimet e pasurive nga zyrtarët publikë. Në përgjithësi, ata kanë adaptuar standardet ndërkombëtare të anti-korrupsionit në legjislacionet e tyre kombëtare, duke përfshirë dispozitat për pjesën më të madhe të veprave të detyrueshme të korrupsionit sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit (UNCAC), si dhe për disa jo të detyrueshme. Aktivizmi rregullator në Ballkanin Perëndimor nuk ishte rezultat i një mekanizmi reagues për efektivitetin e politikave, por më tepër një përgjigje ndaj kërkesës në rritje për integritet në qeverisje, që vjen nga publiku vendas dhe partnerët ndërkombëtarë. Detyra tani për qeveritë kombëtare është të gjurmojnë shfaqjet dhe format e korrupsionit duke ruajtur stabilitetin rregullator dhe shmangien e mbingarkesës së gjyqësorit me ndryshime të shpejta të ligjeve në fuqi. Në Ballkanin Perëndimor, prokurimi publik është një zonë e rrezikut të lartë të korrupsionit pasi përdoret jo vetëm për të prokuruar mallra dhe shërbime për përfitim publik, por shpesh për të transferuar fonde publike në xhepat privatë.

SEKTORI INFORMAL

Një sektor i rëndësishëm i ekonomisë informale i lidhur ngushtë me korrupsionin vazhdon të shqetësojë Ballkanin Perëndimor. Prania e këtij sektori mund t’i atribuohet një numri të madh shkaqesh, të tilla si morali i ulët tatimor, mjedis i dobët i biznesit dhe nivelet shumë të larta të varfërisë, mungesa e besimit në institucionet e qeverisë dhe perceptimi i lartë i korrupsionit, tatimi dhe kostot e larta para-fiskale, paralelisht me politikën tatimore tepër shtrënguese, inspektime dhe kontrolle të pamjaftueshme, burokraci, sistemi i pagesave të rënda të ndërprerjeve të marrëdhënieve të punës dhe ndryshimet e shpeshta të legjislacionit.

Toleranca e lartë ndaj evazionit të kontributeve tatimore dhe të sigurimeve shoqërore është kultivuar në Ballkanin Perëndimor për shkak të perceptimit se autoritetet tatimore, dhe në përgjithësi sistemi publik janë të korruptuar. Sipas 45.7 për qind të bizneseve në Maqedoninë e Veriut dhe 72.9 për qind në Shqipëri, korrupsioni është faktori më i rëndësishëm për ekzistencën e ekonomisë informale. Kjo e bën publikun të besojë se tatimet nuk përdoren si duhet për ofrimin e shërbimeve më të mira publike. Politikë-bërësit e Ballkanit Perëndimor kanë ndërmarrë hapa për të nxitur përdorimin e detyrueshëm të kontratave të shkruara në punën kryesore, por përpjekjet e tyre kanë mbetur kryesisht të pasuksesshme, pasi nivelet e përgjithshme të ekonomisë informale vazhdojnë të rriten. Kjo është për shkak të mënyrave të shumta alternative të shmangies së pagesës së kontributeve shëndetësore dhe shoqërore, të tilla si nëndeklarimi i shumës së pagës së marrë, ose mosdeklarimi i punëve dytësore ose me kohë të pjesshme.

SISTEMI GJYQËSOR

Megjithëse reformat gjyqësore kanë vazhduar për më shumë se një dekadë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ato nuk kanë prodhuar progres të rëndësishëm. Thelbi i këtyre reformave ka qenë i kufizuar në përmirësimin e kornizës legjislative dhe çështjeve të tjera teknike, pasuar nga zbatimi dhe performanca e dobët, veçanërisht në lidhje me ndjekjet penale dhe dënimet efektive – dënimet përfundimtare të zyrtarëve publikë mbeten kryesisht në një shifër të vetme. Kjo është veçanërisht e vërtetë për rastet e korrupsionit të nivelit më të lartë, megjithëse përjashtimet kanë filluar të shfaqen. Ndarja e pushteteve dhe krijimi i një gjyqësori të pavarur pengohen nga politizimi i gjyqësorit, ndikimet e padrejta dhe korrupsioni – pushteti legjislativ dhe ekzekutiv ende ushtrojnë një ndikim të fortë në procesin e zgjedhjes së gjyqësorit dhe në shpërndarjen e buxhetit. Të gjitha këto çështje paraqesin pengesa të mëdha në rrugën e pranimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përparimi i cilësisë së qeverisjes publike në vendet e Ballkanit Perëndimor tani është i lidhur ngushtë me procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian. Kushtet themelore, të cilat ndikojnë në reformat e integritetit, janë të ndryshme në secilin vend, duke e bërë BE-në faktorin rajonal stabilizues për këto reforma. Që strategjia e saj e zgjerimit ta lejojë atë të vazhdojë të jetë një faktor i tillë, BE ka nevojë për një angazhim politik më aktiv me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u siguruar atyre një perspektivë të qartë për të ardhmen, konstaton raporti i SELD-i. (koha.mk)

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments