Nesër me fillim në ora 13 shqiptarët do të protestojnë në Vodno, para vilës së presidentit të shtetit. Shkak për protestën është deklarata e presidentit Stevo Pendarovski i cili vlerësoi se ngjarjet e 27 Prillit nuk kanë qenë akt terrorist, njoftojnë për gazetën Lajm organizatorët e protestës.
“Kjo është përzierje e presidentit të shtetit në Gjyqësor. Nese kërkon që autorët e 27 Prillit të mos dënohen për terrorizëm, atëherë presidenti të njejten gjë duhet ta kerkojë edhe për Grupin e Kumanovës dhe për rastin Monstra”, thotë për Lajm organizatori i protestës, Blerim Ahmeti.
Ai e ka paraqitur protestën në polici dhe ka kërkuar leje për mbajtjen e saj.
“Do të grumbullohemi direkt te Presidenca ku në shenjë revolte do të djegim fotografitë e Stevo Pendarovskit, Zoran Zaevit, Hristijan Mickovskit dhe Ali Ahmetit”, thekson Blerim Ahmeti, organizator i protestës.