8.9 C
Tetovo
E hënë, 25 Nëntor, 2024
BallinaLajmeBotaSfida madhore për botën në 20 vitet e ardhshme

Sfida madhore për botën në 20 vitet e ardhshme

Bota që vazhdon të luftojë pandeminë dhe të përballet me sfidat e sistemeve dhe institucioneve të rrënjosura për një kohë të gjatë, nuk ka gjasa të ndjejë lehtësim në 20 vitet e ardhshme, sipas një raporti të ri nga analistët e zbulimit amerikan.

Ata parashikojnë se institucionet dhe sistemet që kanë mbizotëruar në skenën globale që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore do ta kenë të vështirë t’u përgjigjen “sfidave globale” përfshirë ndryshimin e klimës, sëmundjet, krizat financiare dhe teknologjinë gjithnjë në avancim.

“Këto sfida do të vënë në provë në mënyrë të vazhdueshme aftësinë e rimëkëmbjes dhe përshtatjes së komuniteteve, shteteve dhe sistemit ndërkombëtar, shpesh duke e tejkaluar kapacitetin e sistemeve dhe modeleve ekzistuese”, paralajmëron raporti, duke shtuar se disa nga zhvillimet “mund të jenë katastrofike”.

Vlerësimi kryesisht pesimist është pjesë e Prirjeve Globale 2040, një raport që hartohet çdo katër vjet nga Këshilli për Zbulimin Kombëtar.

Dhe ndërsa këtë vit ai parashtron disa skenarë, sipas së ciëve demokracitë si ajo e Shteteve të Bashkuara, rimëkëmben dhe forcohen, raporti paralajmëron se kjo nuk do të ndodhë, nëse nuk gjejnë më parë mënyrat se si të përballojnë probleme edhe më të vështira dhe të vazhdueshme.

“Pandemia COVID-19 i ka kujtuar botës se sa e brishtë është dhe tregoi rreziqet që vijnë nga nivelet e larta të ndërvarësisë. Sistemi ndërkombëtar nuk është i ndërtuar në mënyrë të përshtatshme për të përballuar sfidat e ndërlikuara globale”, thuhet në raport.

Një nga sfidat më kritike të identifikuara në raport është ndryshimi i klimës, që pritet gradualisht të intensifikohet gjatë dy dekadave të ardhshme dhe t’i bëjë të gjitha vendet objekt të temperaturave më të larta, ngritjes së nivelit të deteve dhe motit më ekstrem, si uraganët, tornadot dhe përmbytjet.

Vendet e varfra dhe në zhvillim do të jenë ato që kanë gjasa më të mëdha të vuajnë dhe paaftësia e qeverive të tyre për t’u përshtatur dhe përgigjur, mund të rezultojë në valë të reja imigracioni.

Si rrjedhim, sipas raportit, kjo do të konsumojë burimet dhe aftësitë e vendeve të destinacionit.

Një shqetësim tjetër kritik është prirja në rritje e vendeve që të reagojnë ndaj një bote gjithnjë e me më shumë komunikim dhe të përparuar teknologjikisht, duke e distancuar veten.

Bota është “njëkohësisht e lidhur përmes teknologjisë dhe e fragmentuar në drejtime të ndryshme”, paralajmëron raporti.

“Komunitetet janë gjithnjë e më shumë të përçara ndërsa njerëzit kërkojnë të gjejnë siguri tek grupet që mendojnë si ata, mbështetur tek identitete të përcakuara ose të reja”.

Kjo prirje ushqehet nga përhapja e teknologjive si inteligjenca artificiale, që do ta bëjnë më të lehtë për qeveritë, organizatat dhe madje edhe bizneset që të ndikojnë tek opinion publik, qoftë me fushata informimi, ashtu edhe operacione dezinformimi.

“Media e menjëherëshme, e ngritur me qëllime të caktuar apo sintetike, mund ta shtrembërojë edhe më shumë të vërtetën dhe realitetin, duke destablizuar shoqëritë në përmasa dhe shpejtësi shumë herë më të madhe sesa sfidat aktuale të dezinformimit”, thotë raporti.

Analistët thonë se një faktor tjetër që do to ndikojë tek transformimi i botës gjatë 20 viteteve të ardhshme, është rivaliteti global mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

“Rivaliteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës ka gjasa të përcaktojë parametrat e gjera të ambjentit gjeopolitik në dekadat e ardhshme, duke u imponuar aktorëve të tjerë zgjedhje të vështira”, thuhet në raport.

Në skenarin më optimist, analistët e zbulimit parashikojnë epërsi për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre demokratë, pjesërisht sepse kundërshtarë si Kina dhe Rusia dobësohen nga kontrolli në shoqëri që ka paralizuar novacionin.

E ashtuquajtura “Rilindje e Demokracive” nënkupton një Perëndim që përparon falë teknologjisë së avancuar, rritjes ekonomike dhe shtimit të të ardhurave, që zbusin tensionet shoqërore.

Por analistët parashikojnë gjithashtu skenare sipas së cilave, Kina mund ta konsolidojë veten si një fuqi kryesore në mos dominuese, dhe në të cilat bota është e fragmentuar, e mbizotëruar nga fuqitë rajonale “të përqendruara tek mbështetja tek vetëvetja, aftësia ripërtëritëse dhe mbrojtja”.

Në një nga skenaret më pesimiste, mungesat ushqimore dhe përhapja e gënjeshtrave, shkaktojnë valë dhune dhe përmbysin udhëheqës dhe regjime në gjithë botën, duke sjellë si rezultat një zhvendosje radikale në shpërndarjen e mirëqenies dhe burimeve./VOA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments