Anëtari i Kryesisë Qendrore të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka komentuar zhvillimet e fundit në shumicën parlamentare.
Duke njoftuar se Kuvendi tashmë është bllokuar nga opozita shqiptare për shkak të Ligjit për shtetësi, e ka pyetur kryeministrin Zoran Zaev, se “kue e ke shumicën?”, duke e përmendur faktin se Izet Mexhiti tanimë nuk është koordinator i grupit parlamentar të BDl-së.“Opozita shqiptare e ka bllokuar Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Reciprocitet: ose SHTETësi edhe për shqiptarët ose s’ka Kuvend fare. Ky është dallimi mes atyre që ua mbajnë dosjet në fjokë dhe prandaj 18 vjet nuk e kanë zgjidhur këtë punë dhe neve, që nuk kemi frikë nga fjokat e tyre.
Hajde, Zaev, ku e ke tash shumicën? Bile as Izeti, që e votoi me dy duar e dhjetë gishta Artanin e Zlatiborit, tash nuk ndihmon më. E pat kjo punë. Gati është! (Gotov je)”, ka shkruar Ibrahimi në profilin e tij në “Facebook”.
Ndërkaq, koalicioni opozitar ASH-AAA tashmë ka filluar bllokimin e ligjeve në kuvend, si kundërpërgjigje se opozita maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM-ja nuk e kanë pranuar variantin e Ligjit për shtetësi që u propozua nga ky koalicion.
Kuvendi tashmë është në bllokadë dhe mungon edhe kuorumi në seanca plenare, kjo për shkak se disa deputetë të shumicës janë të infektuar me Covid-19.