Shkup, 26 nëntor, zhurnal.mk – Në zgjedhjet e fundit parlamentare ASH-AAA fituan një numër të konsiderueshëm të deputetëve, gjegjësisht 12 deputet. Njohësit e proceseve politike në vend shprehen se nëse do të vazhdojnë këto dy parti në koalicion, atëherë do ti fitojnë zgjedhjet e ardhshme lokale në pjesën shqiptare. Profesori universitar Mersel Bilalli për Zhurnal shprehet se nëse në Maqedoninë e Veriut organizohen zgjedhje korrekte atëherë koalicioni opozitar shqiptar do të ishte fitues në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Sipas tij në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk u pasqyrua vota e qytetarit shqiptar sepse kishte keqpërdorime të shumta.
“Mendoj se nëse do të kishim pasur zgjedhje korrekte objektivisht koalicioni opozitar do të ishte fitues. Duke pasur parasysh keqpërdorimet që ndodhen u nxjer një rezultat që nuk është pasqyrë reale i votës së qytetarit. Nëse kemi relativisht zgjedhje korrekte fitorja e opozitës me këtë koalicion do të jetë shumë e madhe. Por opozita duhet pasur parasysh edhe diçka që në të kaluarën nuk guxon ta përsëritë si gabim, që mos të merret gjithë kohën me liderin e partisë shqiptare në pushtet sepse kjo prodhon kundërefekt, ato nuk duhen të merren me ofendime personale por duhet të ofrojnë programe konkrete. Kështu si është situata mund të vijmë në krizë më të thellë politike siç jemi, dhe nuk përjashtohet mundësia që pas stabilizimit me gjendjen e pandemisë të kemi dhe zgjedhje parlamentare”, ka deklaruar për Zhurnal, Mersel Bilalli, profesor universitar.
Nga ana tjetër, Urim Saliu, gazetar, për Zhurnal ka theksuar se ASH dhe AA nuk ka dyshim që fituan një numër të konsiderueshëm deputetësh në zgjedhjet e përkohshme parlamentare. Por sipas tij përsëri brenda këtyre strukturave duhen reforma të brendshme për të qenë më të fuqishëm në zgjedhjet lokale.
“Ata nuk duhet të mbajnë afër njerëz të cilët janë shkaku i largimeve të të tjerëve gjë e cila është evidente. Ky koalicion zgjedhjet lokale i ka shansin e fundit. Ose fitojnë dhe forcojnë pozitat ose shpartallohen. Përzgjedhja e kandidatëve do jetë thelbësore por duhet të bëjnë kujdes me VMRO-në. Le të bëjnë koalicion por jo të bëhen zëdhënës të tyre për të paraqitur ata ndryshe tek opinioni shqiptarë. Ky koalicion duhet gjithashtu të jetë më i zëshëm si opozitë shqiptare gjë që për momentin e bëjnë në mënyrë sporadike dhe jo mjaftueshëm kundrejt qeverisë”, ka deklaruar për Zhurnal, Urim Saliu, gazetar.
Nga ana tjetër shumë eksponent të lartë të partive opozitare shqiptare shprehen të bindur se koaliconi ASH-AAA do të fiton bindshem në zgjedhjet lokale kundrejt Bashkimit Demokratik për Integrim që disa cikle zgjedhore me rradhë ka dalë fitues në kampin politik shqiptarë.
Ndryshe, partitë u pajtuan që zgjedhjet lokale të mbahen në tetor të vitit 2021. Në vitin 2017 mandati i kryetarëve të Komunave kishte përfunduar në muajin maj, por për shkak se Kuvendi nuk ishte funksional dhe vendi ishte pa Qeveri si pasojë e krizës politike, Gjykata Kushtetuese vendosi vazhdimin e mandatit të tyre deri në muajin tetor. Mandati i tyre përllogaritet nga tetori i vitit 2017.