“Qytetarët shqiptar nga Maqedonia e Veriut nuk mund të tranzitojnë përmes Kosovës për të shkuar në bregdetin shqiptar. Kjo pasi masat e Qeverisë së Kosovës kanë ndaluar transitin nëpër Kosovë edhe për veturat private. Nga atje thonë se lejohet vetëm transporti i organizuar publik”.
Në pikën kufitare të Bllacës sot kishte pak udhëtar të cilët kryesisht ishin shtetas të Kosovës. Autoritetet në Kosovë thonë se për momentin nuk planifikohet ndryshimi i vendimit të Qeverisë. Drejtori i përgjithshëm i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj në një bashkëbisedim na tha se ky vendim mbetet në fuqi deri në sjelljen e një vendimi të ri. Nëse masa do të lehtësohet, nuk morëm përgjigje as nga ministri i Brendshëm, Agim Veliu dhe as nga ai i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Me vendimin e 9 korrikut, Qeveria e Kosovës vendosi kushte për shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët duhet të hynë në territorin e Kosovës. Kërkohet PCR test negativ jo më i vjetër se 72 orë. Ndonëse në fillim u tha se tranziti do të jetë pa nevojë për test por me kusht që territori i Kosovës të lëshohet brenda 5 orëve, më pas rezultoi se vendimi i ekzekutivit ndalon lëvizjen e pa organizuar, përkatësisht nuk lejohet lëvizja me vetura private. Në pamundësi për të kaluar nga “Rruga e kombit”, shtetasit e Maqedonisë së Veriut i janë kthye rrugëve të vjetra përmes Qafës së Thanës dhe pritjeve të gjata në pikat kufitare. Alsat-M