Pas njoftimit të rezultateve përfundimtare jozyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik, rrjedhin afatet për ankimime dhe kundërshtime për zhvillimin e procesit zgjedhor dhe për grumbullimin e rezultateve.
Çdo parashtrues i listës së kandidatëve në procedurën e votimit, përmbledhje dhe përcaktim i rezultateve të votimit mund të paraqesë ankesë pranë KSHZ-së brenda 48 orëve pas përfundimit të votimit, gjegjësisht publikimit të rezultateve fillestare. KSHZ-ja është e detyruar të zgjidhë ankesën brenda 48 orëve pas pranimit.
Ankesa kundër vendimit të KSHZ-së mund të paraqitet në Gjykatën Administrative, në afat prej 24 orëve nga marrja e vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, me ankesë është e detyruar të marrë vendim brenda 48 orëve nga marrja e saj.
Çdo votues, e drejta e votimit e të cilit është shkelur në procedurën e votimit, mund të paraqesë ankesë pranë KSHZ-së në afat prej 24 orëve. KSHZ-ja është e detyruar të marrë një vendim brenda katër orësh pas pranimit.
Çdo votues mund të apelojë kundër vendimit të KSHZ-së brenda 24 orëve pas pranimit në Gjykatën Administrative të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila, pas ankesës, është e detyruar të marrë vendim brenda 48 orëve nga marrja e saj.
KSHZ-ja, me detyrë zyrtare ose pas ankesës së marrë, mund të anulojë votimin në vendvotimin me një vendim në raste të caktuara të përcaktuara me Kodin Zgjedhor.
Ankesa kundër vendimit me të cilën anulohet votimi mund të paraqitet në Gjykatën Administrative të Republikës së Maqedonisë së Veriut brenda 24 orëve nga marrja e vendimit. Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e detyruar të veprojë rreth ankesës në afat prej 72 orëve nga marrja e saj. Ri-votimi në vendvotimin ku është anuluar mbahet 14 ditë nga dita e votimit të parë.
Sipas rezultateve fillestare të publikuara mbrëmë nga KSHZ-ja, koalicioni “Mundemi” të udhëhequr nga LSDM-ja fitoi 46 vende, koalicioni i VMRO-DPMNE-së 44, BDI 15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH-ja një mandat.
Një pjesë e partive pjesëmarrëse në zgjedhje u ankuan për parregullsi dhe gabime në grumbullimin e rezultateve dhe paralajmëruan se do të paraqesin ankesa pranë KSHZ-së dhe institucioneve tjera kompetente.