Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 1 nga rradhët e Bashkimit Demokratik për Intefrim, Izet Mexhiti në një intervistë ekskluzive për Agjencinë e Lajmeve ZHurnal ka folur mbi platformën e BDI-së dhe rëndësinë e kërkesës së tyre për Kryeministrin e parë shqiptarë.
Ai tha se Bashkimi Demokratik për Integrim çdoherë politikën e sheh nëpërmjet ideve që të faktorizojnë votën shqiptare, të valorizojnë votën dhe njëherit krijon vlera të reja.
Sipas tij me këtë ide BDI rritë ambiciet e shqiptarëve, rritë peshën e votës shqiptare duke materializuar me projekte konkrete.
“Në mandatin e kaluar duke e thyer paragjykimin se shqiptari nuk mund të jetë kryetarë i Parlamentit, dhe jo vetëm që mund të jetë, por mund të jetë edhe më i sukseshmi prej viteve të 90-ta e deri më sot z.Talat Xhaferi. Ndërsa tani dalim me idenë e re që shqiptarët duhet të kenë kryeministrin, pozitën më të fuqishme. Këtu idea është që ne krijojmë një standart në politikën shqiptare që vendoset tash dhe për dekadat që do të vijnë pas ne, për shkak se gjatë formimit të qeverive të ardhëshme nuk do të bisedohet prej pozicionit të Ministrive dhe drejtorive, por muhabeti i parë në tavolinë do të jetë njëra nga tre pozitat kyçe në shtet dhe cila nga këto do të udhëhiqet nga shqiptarët, ai i Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit. Dhe ky standart do të jetë imponues edhe për partitë politike shqiptare sot e 100 vitet e ardhëshme. Me këtë mendojmë se kontribojmë që ky shtet të ndjehet edhe nga shqiptarët si shtet i tyre ku mund të synojnë çdo pozicion dhe nuk ka asnjë pozicion i cili është monopol dhe i rezervuar vetëm për palën maqedonase”, shprehet Mexhiti.
Ai mes tjerash thotë se i kupton reagimet e palës maqedonase rreth idesë për kryeministrin e parë shqiptarë, por nuk i kupton reagimet e partive politike shqiptare se pse krekosen në këtë mënyrë.
“Andaj i kuptoj reagimet e palës maqedonase, i kuptojë reagimet edhe të VMRO-së dhe LSDM-së, i kuptojë se kjo ka shkaktuar një tërmet politik në Maqedoninë e Veriut dhe në regjion por nuk i kuptojë partitë politike shqiptare pse krekosen në këtë mënyrë kur as nuk ju rrezikohet ky pozicion as nuk e kanë kërkuar, dhe nëse merret do të jetë në pozicion edhe të oponentëve tanë. Fundi i fundit kryetarët e komunave qoftë nga pozita apo opozita shumë më lehtë do të kenë të komunikojnë me kryeministrin shqiptarë Naser Ziberin sesa për ta bindë Zaevin ose Hristijan Mickoskin për projektet e tyre për standartin e tyre për diskriminimin e vendbanimeve shqiptare. Dhe deri sa ne dalim me ide që i faktorizojnë shqiptarët, opozita shqiptare nuk ka program nuk ka ide, nuk ka ofertë për shqiptarët. Të vetmën gjë që e bëjnë është të merren me BDI-në dhe me idetë e BDI-së”, ka deklaruar Mexhiti.
Ai mes tjerash ka folur edhe për procesin e decentralizimit, zonën e lirë ekonomike në Tetovë si dhe zhvillimin e turizmit në Strugë, Kodrën e Diellit dhe shumë të tjera.
Intervistën e plotë me bartësin e listës në njësinë zgjedhore numër 1 nga Bashkimi Demokratik për Integri, Izet Mexhiti do të mund ta ndiqni gjatë ditës së nesërme në faqen zyrtare të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal në Facebook.