Agjencia e gjuhëve vlerëson se, një vit pas hyrjes në fuqi të ligjit për përdorimin e gjuhëve, institucionet janë të obliguara ta respektojnë atë edhe pse ligjet e tjera nuk janë harmonizuar me këtë ligj. Reagimi i këtij organi vjen një ditë pasi Alsat njoftoi se fletëvotimet nuk do të shtypen në dy gjuhë për të gjithë territorin por vetëm për komunat me mbi 20% shqiptarë. Këtë vendim, shumica në KSHZ e kishte bazuar në Kodin zgjedhor i cili nuk është harmonizuar me ligjin e gjuhëve.
Në përputhje me Ligjin për përdorimin e Gjuhëve, në të gjitha organet e pushtetit shtetëror, në institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, dhe të tjera, gjuhë zyrtare, krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, është edhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve. Gjatë mbajtjes së zgjedhjeve, në punën dhe procedurat e të gjitha komisioneve, trupave të tjera dhe institucioneve, në mënyrë të barabartë shfrytëzohen, përdoren dhe zbatohen gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik dhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve – thonë nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.
Sqarimin e njëjtë e bën edhe nënkryetarja e KSHZ-së Ditmire Shehu e cila thotë se kolegët e saj kanë bërë interpretime të pasakta të ligjit.
Kjo çështje është e rregulluar me Ligj, edhe atë me nenin 23 paragrafi (5) i Ligjit për përdorimin e gjuhëve i cili thotë: “Në rast të mos harmonizimit të dispozitave të këtij ligji me dispozitat gjuhësore të ligjit tjetër, organet kanë për detyrë t’i zbatojnë dispozitat e këtij ligji”. Nga e gjithë kjo shihet qartë që nëpër media nga anëtarë të KSHZ-së plasohen interpretime dhe informacione subjektive, jo të sakta dhe jo të bazuara në normat pozitive nga Ligji për përdorimin e gjuhëve – u shpreh Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së.
Një ditë më parë, kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, tha se propozimi i Shehut për dygjuhësi në fletëvotime ishte mbivotuar nga kolegët e tjerë të cilët bazohen në Kodin zgjedhor dhe se i mbetet përbërjes së ardhme parlamentare ta rregullojë këtë çështje.