Drejtori i Qendrës për Shëndet Publik, Arben Zyberi, ditë më parë u lëvdua se ai si anëtar i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse ka ndihmuar në hapjen e kufijve pa protokolle që votuesit e BDI-së më 15 korrik të mund të vijnë dhe të votojnë.
“Unë si anëtar i Komisionit për Sëmundje Infektive dhe anëtarët tjerë, kontribuam që kufijt të hapen dhe njerëzit të mund të lëvizin më lirshëm pa ngarkesa protokollare që i rekomandonin nga OBSH. Pse Jo, të mos vijnë në vendlindje, për Kryeministrin Shqiptar!” shkroi Zyberi në Facebook më 23 qershor.
Për këtë ka reaguar sot Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, duke thënë se një deklaratë e këtillë nuk i shkon një Drejtori të Qendrës për Shëndet Publik dhe se do të kërkojë që Zyberi të zëvendësohet.
“E lexova deklaratën. Nuk është e vërtetë se Zyberi është anëtar i Komisionit. Mendoj se është retorikë parazgjedhore, e lirë dhe e keqe dhe drejtori nuk do të fitojë asgjë me këtë deklaratë. Një deklaratë e këtillë nuk i shkon përshtat një doktori, e as njeriut që udhëheq me një institucion të tillë. Unë që sot do të konsultohem me juristë dhe nëse në këtë periudhë është e mundur, drejtori që sot do të zëvendësohet” u përgjigj Filipçe në pyetjen e gazetarëve.
I shpejtë ka qenë edhe reagimi i Zyberit pas kësaj deklarate të Ministrit të Shëndetësisë.
“Ministër Filipçe, ndaloni ta keqpërdorni foltoren e Qeverisë për qëllime zgjedhore. Unë jam kandidat për deputet dhe kam të drejtën time që në profilin personal në Facebook të kem qëndrime politike, e përskaj kësaj në asnjë moment nuk e kam keqpërdorur institiucionon që e drejtoj, gjë që për fat të keq e bën Ministri Filipçe me këto deklarata me paravijë zgjedhore”, është shprehur Zyberi./TV21