Richard Grenelli edhe zyrtarisht ka dhënë dorëheqje nga Departamenti i Shtetit.
Ai do të mbetet i dërguar i posaçëm i administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi.
“Sot unë zyrtarisht dhashë dorëheqje nga Departamenti i Shtetit”, shkroi Grenelli ndër tjera në Twitter, teksa ka publikuar një foto bashkë me Trumpin.
Javë më parë, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga të gjitha partitë politike në Kosovë që të pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e qeverisë së re, dhe ka thënë se “mezi pret të bashkëpunojë me qeverinë e re”.
Grenelli vazhdimisht kishte kritikuar qeverinë Kurti edhe pas heqjes së tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit.
Nën ndërmjetësimin ambasadorit Grenell, Kosova dhe Serbia arritën dy marrëveshje në fillim të këtij viti. E para për vendosjen e një linje direkte Prishtinë – Beograd si dhe marrëveshja tjetër për funksionalizimin e hekurudhave.