Kryetari i Partisë Demokratikë të Kosovës Kadri Veseli, ka vizituar sot Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri, nga ku tha se Kosova ka një Polici më të mirën në regjion.
Nga Vushtrria Veseli ka komentuar edhe 100 ditëshin e qeverisë tashmë në detyre të udhëhequr nga Albin Kurti, që sipas tij janë 100 ditë dështime të njëpasnjëshme.
Veseli tha se Kosova ka Policinë më të mirën në regjion, ndërsa ka lavdëruar për punën edhe Doganën, ATK, punonjësit shëndetësor dhe zjarrfikësit.
“Sot është 100 ditëshi i kësaj qeverisje, janë 100 dështime të njëpasnjëshme, por 20 vjet investim në institucione të Republikës së Kosovës. Do të thotë e tregojnë se institucionet të cilat i kemi si Policia, Doganat, ATK, zjarrfikësit, punonjësit shëndetësor janë duke i kryer punën e vet. Ky është dallimi i një shteti i cili ka institucione funksionale sado që drejtimin politik mundet me e pas jo funksional dhe të dështuar”, tha ai.
Pavarësisht kësaj Veseli tha se Kosova vazhdon të ketë institucione funksionale dhe kredibile.
Ai lavdëroi Policinë e Kosovës për të cilën tha se është më e mira në regjion.
“Drejtori e tha se Akademia nuk po punon, por efektet e Akademisë janë duke u parë çdo ditë me një Polici të cilën e kemi më të mirën regjionale. Një Polici e jashtëzakonshme që së bashku me Doganat, me punonjësit shëndetësor, zjarrfikësit, me ATK-në po tregohet se shteti i Kosovës vërtetë ka institucione të cilat janë funksionale, shumë kredibile dhe të cilat kanë autoritet dhe besim tek qytetarët edhe në momentet kur kemi vendime politike të cilat janë kaotike. Të cilat nganjëherë e krijojnë më shumë konfuzion sesa qartësi, ato e kryejnë punën e vet, siç ka bërë kjo qeverisje këto 100 ditë”, tha ai.
Ndërsa, drejtori i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike Ismail Smakiqi, tregoi se është ndërprerë trajnimi i kadetëve për shkak të pandemisë COVID-19.
“Akademia për momentin siç po e shihni nuk është në funksion të fushëveprimit të saj meqenëse nuk kemi kadetë, nuk kemi studentët, me studentët po vazhdojmë online, kurse me kadetët me padurim po presim momentin që institucionet qendrore të na thonë që të vazhdojmë, meqenëse e dimë që edhe Policia e Kosovës ka nevojë për kadetë. Kjo është gjendja momentale, ne po funksionojmë me një staf esencial, ky staf i Akademisë është në përgatitje për riakreditimin e Akademisë, meqenëse vitin e ardhshëm kemi tri akreditime të programit studimor, të programeve profesionale, po edhe akreditimin ndërkombëtar që e ka Akademia nga ShBA-të. Me të tjerat e ndajmë fatin e përbashkët me të gjithë Kosovës, se Akademia ka kuptim vetëm me njerëz të institucioneve të sigurisë publike”, tha ai.