Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka vazhduar ta akuzojë emisarin special në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, se ka qenë kyq në rrëzimin e qeverisë së tij, shkruan Gazeta Blic.
Në një intervistë për emisionin Opnion, Kurti ka thënë se Grenell pas një vizite të bërë në Beograd, ka hequr dorë nga kërkesa ndaj Serbisë për ndaljen e çnjohjeve ndaj Kosovës.
“Unë kam qenë në një komunikim intensiv me të. Fillimisht ambasadori Grenell ka pasur qëndrimin që Kosova ta heq taksën dhe Serbia ta ndalojë fushatën kundër cnjohjeve të Kosovës. Mirëpo ai e braktisi këtë të fundit, pasi bëri një vizitë në Beograd. Më pastaj ai doli edhe kundër vendosjes së reciprocitetit ndaj Serbisë”, ka thënë Kurti.
Tutje, Kurti thotë se Grenell ka filluar një fushatë trysnie ndaj Lidhjes Demokratike për të dalur nga koalicioni dhe kështu sipas tij edhe ndodhi.
“Ambasadori Grenell ishte emisar i dërguar i presidentit Trump. Ai më të rëndësishme e kishte nënshkrimin e një marrëveshje, sesa përmbajtjen e marrëveshjes. Unë e kam të qartë që pas komunikimit tim me të, ai e kishte nisur një trysni ndaj partnerit tim të koalicionit, të cilët e braktisën marrëveshjen që e kishim mes neve”, ka thënë tutje Kurti.