Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas deklaratës të së mërkurës mbrëma të ushtruesit të detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, për vendndodhjen e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Behgjet Pacolli.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Mustafa e ka quajtur kërcënim puçist këtë deklarim të Sveçlës, i cili ka thënë se “nëse del të jetë i vërtetë raportimi se me presidentin Hashim Thaçi në Kosovë ka hyrë edhe deputeti Behgjet Pacolli, policia do të ndërmarrë masat ndaj kreut të AKR-së”.
Këtë sjellje, sipas Isa Mustafës, “duhet të trajtojë prokuroria, nëse jo të arsyetojë bazën ligjore të një kërcënimi të tillë puçist ndaj një deputeti”.
“Të kërcënojë një zëvendësministër në detyrë se do të arrestojë deputetin, që ka legjitimitet të përfaqësimit të qytetarëve, është argument se ai është vënë mbi ligjin”, ka shkruar Mustafa.
Një veprim të tillë sipas Mustafës, nuk do ta bënte ish-ministri i Brendshëm, Agim Veliu, i cili është shkarkuar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë shkrim, ish-kryeministri i Kosovës Mustafa, ka përmendur takimet para se të nënshkruhej koalicioni për Qeverinë tashmë në detyrë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ai ka treguar se përse kishte zgjedhur pikërisht të parën Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Zgjidhja ishte reflektim i frikës dhe dyshimit se VV do ta keqpërdorë këtë ministri për burgosje të kundërshtarëve, për sajime të dosjeve, për kërcënime, se do tu hakmerret policëve dhe eprorëve të tyre që i mbronin institucionet atëherë kur VV ushtronte dhunë”, ka shtuar mes tjerash ai.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, kur të kthehet nga Zvicra, ku po qëndronte, të shkonte në Qendrën e Studentëve, e cila është shndërruar në karantinë, pas përhapjes së koronavirusit në Kosovë. Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e Pacollit.
Dita e ngarkuar e Pacollit në Twitter
Në këtë çështje janë përfshirë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Të mërkurën mbrëma presidenti Thaçi tha në një lidhje të drejtpërdrejtë në RTV Dukagjini se “prej çlirimit të Kosovës dhe deri dje kur kam dalur dhe hyrë në relacionin Kosovë-Shqipëri në procedurat e njëjta ndërsa për interesimin e Sveçlës dhe Kurtit, si ndërmarrje kriminale që është shndërruar dhe që ju intereson lokacioni im, unë jam në shtëpi”.
Kurti në anën tjetër, përmes një postimi në Facebook, e ka ftuar presidentin Thaçi në debat televiziv.
“Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës. Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka deklaruar ai.