Nxënësit e 15 vjeçarë të Kosovës do t’i nënshtrohen testit “PISA 2021”.
Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami.
Ministrja po ashtu bëri të ditur se organizatorët e PISA-s do të vendosin nëse nuk do të mbahet për shkak të pandemisë.
“MAShTI nuk ka marrë vendim për t’u tërhequr nga PISA. Nëse pyetjen po e bëni në kontekst të pandemisë, besoj se organizatorët e PISA-s e kanë parasysh situatën dhe do të reflektojnë konform situatës së krijuar”, shtoi Bajrami
Ditë më parë, në media është raportuar se MAShTI është duke e shqyrtuar pjesëmarrjen në testin “PISA 2021” për shkak të rezultateve jo të mira në testin “PISA 2018”.
Testi Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve (PISA) mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë dhe mbahet çdo 3 vjet.
Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.
Kosova për herë të parë në këtë test mori pjesë në vitin 2015, ku u rendit ndër vendet e fundit pjesëmarrëse.
Por shumë pak ndryshim pati edhe në “PISA 2018”, ku nga 79 shtetet pjesëmarrëse, në lexim zuri vendin e 77 derisa në matematikë dhe shkencë të 76-tin duke lënë prapa vetëm Panamanë, Republikën Dominikane dhe Filipinet.