Autoriteti Islamik që mbikëqyr vendet e shenjta myslimane në Jeruzalem ka njoftuar se Xhamia Al-Aqsa dhe Kupola e Shkëmbit do të mbyllin dyert për adhuruesit, si një masë paraprake kundër koronavirusit të ri.
Zyrtarët shtuan se lutjet në natyrë do të lejohen akoma në kompleksin që është shtëpi për vendit e tretë më të shenjtë të Islamit.
“Departamenti islamik Waqf vendosi t’i mbyllë vendet e mbyllura për lutje brenda xhamisë së bekuar Al-Aqsa deri në njoftimin e radhës, si masë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Të gjitha lutjet do të mbahen në zonat e hapura të Xhamisë Al-Aqsa”, i tha agjencisë së lajmeve Reuters, drejtori i xhamisë Al-Aqsa, Omar Kiswani.
Paraprakisht, të shtunën, Ministria e Awqaf dhe Çështjeve Fetare urdhëroi që xhamitë dhe kishat të mbyllen në të gjitha territoret e okupuara Palestineze deri në njoftimin e radhës, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar koronavirusin, njoftoi agjensia palestineze e lajmeve Wafa.
Xhamitë në West Bank bënë thirrje përmes altoparlantëve që muslimanët të kryejnë lutjet e rregullta ditore në shtëpi dhe jo në xhami, me qëllim që të kufizojnë tubimet e njerëzve.
Zëdhënësi i Autoritetit Palestinez Ibrahim Melhem tha se tre raste të reja të koronavirusit u konfirmuan në West Bank të shtunën, duke rritur numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 38