Më 11.03.2020, u publikua Raporti i Stejt Departamentit për të Drejtat e Njeriut për vitin e kaluar 2019 për Maqedoninë e Veriut. Raporti thotë se vendi ka përparuar në respektimin e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Sidoqoftë, Stejt Departamenti konstaton se ka probleme që përsëriten gjatë viteve të fundit, siç janë dhuna dhe frikësimi i gazetarëve.
Në raportin janë përmendur pothuajse të gjitha sulmet më serioze ndaj gazetarëve në dy vitet e fundit dhe nxjerr në pah problemin e mosndëshkimit për dhunën ndaj gazetarëve, gjë për të cilën SHGM shpesh publikisht ka reaguar. Raporti citon gjithashtu fjalimin e Kryetarit të SHGM-së Mlladen Çadikovski në Konferencën Globale të Lirisë së Shtypit në Londër, ku ai theksoi se mosndëshkimi i sulmeve ndaj gazetarëve mbetet një çështje madhore, si dhe shkeljet e lirisë së shprehjes. “Sipas Shoqatës së Gazetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka përfunduar hetimet për të gjitha 12 sulmet ndaj gazetarëve që nga viti 2017, por asnjë veprim i mëtejshëm nuk është ndërmarrë mbi to përveç në një rast”, citohet në raportin.
Është përmendur edhe reagimi i shoqatave gazetareske (SHGM, SPGPM dhe KEMM) në korrik të vitit 2018, në të cilin u kundërshtua reklamimi politik i paguar gjatë fushatave zgjedhore i cili financohet me mjete publike, dhe është cekur se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë masë që nga atëherë për të adresuar këtë çështje.
Vëmendje të veçantë në këtë raport të Stejt Departamentit i kushtohet edhe kërcënimeve, etiketimeve dhe frikësimeve të gazetarëve nga politikanët. Në këtë kontekst, janë shfaqur citate nga reagimet e SHGM-së dhe zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian ku sugjerohet se kjo mund të çojë në vetë-censurim, duke u bërë thirrje autoriteteve të tregojnë zero tolerancë për sulme dhe kërcënime ndaj gazetarëve.
Këtë vit përsëri, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë mbetet një partner i besueshëm i Stejt Departamentit në fushën e mediave dhe lirisë së shprehjes. Në raportin SHGM është përmendur tetë herë si një organizatë referimi.