BallinaLajmeBilall Kasami e zbuloi se shqipja nuk është zyrtare! Po VLEN-i, çfarë...

Bilall Kasami e zbuloi se shqipja nuk është zyrtare! Po VLEN-i, çfarë po pret?

www.telegrami.mk

Bilall Kasami paska ardhur në përfundim se gjuha shqipe nuk është e zyrtarizuar plotësisht në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Një deklaratë që ngre një pyetje të pashmangshme: nëse kjo është e vërtetë dhe nëse zyrtarizimi i plotë kërkon ndryshime kushtetuese, atëherë çfarë po pret VLEN-i?

A nuk është pikërisht kjo një nga çështjet për të cilat partitë shqiptare kanë kërkuar vota ndër vite? A nuk është VLEN-i sot pjesë e pushtetit, me përfaqësues në Qeveri, deputetë në Kuvend dhe mundësi për të hapur iniciativa politike e institucionale?

Kasami thotë se gjuha shqipe duhet të përmendet në Kushtetutë njësoj si gjuha maqedonase, bashkë me alfabetin e saj latin. Mirë, por kjo nuk është ndonjë kërkesë e re që sapo është zbuluar në studion e TVM2. Është një çështje që shqiptarët e kanë ngritur për dekada.

Prandaj, pyetja për VLEN-in është shumë konkrete: nëse e konsideroni zyrtarizimin kushtetues të gjuhës shqipe të domosdoshëm, pse nuk e merrni iniciativën? Pse nuk e hapni debatin në Qeveri dhe në Kuvend? Pse nuk paraqitni një platformë të qartë me afate dhe hapa konkretë?

Nuk mjafton të thuash se BDI nuk e ka zgjidhur këtë çështje. VLEN-i nuk është më opozitë që mund të flasë vetëm për dështimet e të tjerëve. Tani është në pushtet dhe duhet të tregojë çfarë mund të bëjë vetë.

Edhe më interesante është se Kasami flet për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, ndërkohë që shqiptarët presin të shohin nëse kjo kërkesë do të shndërrohet në një iniciativë konkrete apo do të mbetet vetëm një deklaratë televizive.

Nëse zyrtarizimi i gjuhës shqipe është aq i rëndësishëm, atëherë le të dëshmohet me veprime. Nëse nuk ka mundësi për ta realizuar, le të shpjegohet hapur se cilat janë pengesat politike dhe kushtetuese.

Sepse shqiptarët nuk kanë nevojë që çdo qeveri e re t’ua zbulojë nga fillimi se gjuha e tyre ende nuk është e barabartë në formulimin kushtetues. Këtë e dinë prej vitesh.

Dhe në fund, një pyetje për VLEN-in: a hyn zyrtarizimi i gjuhës shqipe në marrëveshjen tuaj të pushtetit, apo vetëm në fjalorin tuaj të opozitës?

www.telegrami.mk

Mesut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments