BallinaLajmeMPB paralajmëron për grupin “764”, apelon për kujdes! Shënjestron fëmijët përmes rrjeteve...

MPB paralajmëron për grupin “764”, apelon për kujdes! Shënjestron fëmijët përmes rrjeteve sociale – manipulim, shantazh dhe kërcënime

Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe mësimdhënësve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj komunitetit të dhunshëm online “764”, anëtarët e të cilit manipulojnë, frikësojnë dhe detyrojnë fëmijët e të miturit të kryejnë veprime të rrezikshme dhe të dhunshme. Për seriozitetin e këtij fenomeni paralajmërojnë edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë Byronë Federale të Hetimeve të SHBA-së (FBI), e cila grupin “764” e ndërlidh me komunitete më të gjera ekstremiste të dhunshme nihiliste dhe grupe të ngjashme. MPB-ja thekson se apeli ka karakter parandalues dhe synon ndërgjegjësimin për rreziqet dhe mbrojtjen e fëmijëve.

SI FUNKSIONON GRUPI “764”?
Grupi “764” vepron përmes rrjeteve të ndryshme sociale, aplikacioneve të komunikimit dhe platformave të lojërave onlajn. Për të vendosur kontakt me viktimat e mundshme, anëtarët e tij përdorin platforma si Discord, Telegram, Roblox, Instagram, TikTok, Snapchat, Reddit, X (ish-Twitter), Minecraft dhe Fortnite.

Grupet e dhunshme online, si “764”, zakonisht i afrohen fëmijëve dhe të rinjve duke u paraqitur si bashkëmoshatarë ose persona të interesuar për miqësi dhe lidhje emocionale.

“Kontakti me fëmijët dhe të rinjtë zakonisht vendoset duke u paraqitur si bashkëmoshatarë të tyre ose si persona të interesuar për një miqësi apo marrëdhënie emocionale. Pasi fitojnë besimin e tyre, fillojnë manipulimet, kërcënimet dhe shantazhet, me qëllim që t’i detyrojnë të ndajnë fotografi dhe video intime, të vetëlëndohen, të ushtrojnë dhunë ndaj personave të tjerë ose kafshëve, madje edhe të ndërmarrin veprime që mund të kenë pasoja kërcënuese për jetën.Materialet që arrijnë t’i sigurojnë më pas i përdorin si mjet për frikësim, shantazh dhe kontroll të mëtejshëm ndaj viktimave”, tha Goce Andrevski, MPB-ja.

MPB-ja u bën thirrje prindërve të vërejnë me kujdes çdo ndryshim në sjelljen e fëmijëve.
CILAT JANË SHENJAT QË DUHET T’I VËREJNË PRINDËRIT?
*Ndryshime të papritura në sjellje, izolim, frikë, shqetësim ose nervozizëm.
*Fshehtësi e shtuar gjatë përdorimit të telefonit celular ose kompjuterit.
*Komunikim intensiv me persona të panjohur përmes rrjeteve sociale dhe platformave të lojërave online.
*Pranimi i mesazheve kërcënuese, shantazheve ose kërkesave për dërgimin e fotografive dhe videove.
*Lëndime të pashpjegueshme, prerje, gërvishtje ose shenja të tjera të mundshme të vetëlëndimit.
*Shprehje të dëshpërimit ose biseda për vdekjen dhe vetëvrasjen.
MPB-ja u bën thirrje prindërve të komunikojnë rregullisht me fëmijët për aktivitetet e tyre në internet, t’i edukojnë për rreziqet e komunikimit me persona të panjohur dhe t’i inkurajojnë të kërkojnë ndihmë në rast kërcënimesh apo shantazhi. Çdo dyshim për aktivitetet e grupit “764” ose grupeve të ngjashme mund të denoncohet në Sektorin për Krim Kompjuterik dhe Forenzikë Digjitale në adresën [email protected]. MPB-ja këshillon që të ruhen mesazhet dhe dëshmitë relevante, pa u shkarkuar apo shpërndarë materiale eksplicite që përmbajnë pamje të të miturve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments