Shkup, 20 nëntor.2026 – Banka Popullore e fsheh vendimin për Alta Bankën. Si e ka vlerësuar Trajko Sllaveski rrezikun për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni pas konsultimit me Hristijan Mickoskin, pyeti Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse dhe anëtare e Kryesisë Ekzekutive të LSDM-së.
“Derisa Prokuroria hesht dhe nuk ka hapur hetim për Alta Bankën, e vërteta po del në shesh. Banka Popullore e fsheh vendimin se si Sllaveski e ka vlerësuar rrezikun për hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni. Mediat e kanë kërkuar vendimin e Bordit Ekzekutiv të Bankës Popullore, i cili përbëhet nga guvernatori dhe zëvendësguvernatorët. Kanë theksuar se e kërkojnë pa informacionet eventuale të klasifikuara dhe të ndjeshme. Por nuk e kanë marrë”, tha Kuzeska.
Sipas saj, kjo është konfirmim i gjithçkaje që ka thënë LSDM-ja.
“E vërteta po fshihet nga opinioni për të mbuluar rastin dhe për të shpëtuar fajtorët që sollën në Maqedoni lavatriçen e parave të Vuçiqit. Guvernatori Sllaveski deklaroi publikisht se vendimin për Alta Bankën e kishte marrë në konsultim me Mickoskin. Prandaj po fshihet nga publiku. Përgjegjësia po troket në derën e Sllaveskit dhe Mickoskit. Në Ligjin për Bankat është e përcaktuar saktësisht se kur duhet të refuzohet kërkesa për përvetësimin e aksioneve. Neni 59, paragrafi 6, veçon rrezikun e lartë për stabilitetin, sigurinë dhe reputacionin e bankës, si dhe dyshimin e bazuar për origjinën ligjore të parave, integritetin ose identitetin e vërtetë të personit dhe personave të lidhur me të. Lidhjet e afërta, struktura pronësore ose organizative mund ta vështirësojnë mbikëqyrjen dhe ndërmarrjen e masave korrigjuese. Kjo është pjesë përbërëse edhe e kallëzimit penal që LSDM-ja e ka dorëzuar dhe për të cilin kanë kaluar 10 ditë pa u ndërmarrë asnjë veprim”, tha Kuzeska.
Ajo deklaroi se prokurori Saveski duhet të veprojë, të hapë hetim për Alta Bankën dhe, në përputhje me ligjin, të gjithë të mbajnë përgjegjësi.
“Nëse nuk vepron, do të bëhet bashkëfajtor dhe kjo duhet t’i jetë e qartë”, tha Kuzeska.
