Festat e Nëntorit janë më shumë sesa data historike në kalendarin tonë. Ato përfaqësojnë momente themelore të rrugëtimit tonë kombëtar, të përpjekjeve për gjuhën, identitetin, arsimin, kulturën dhe lirinë.
Dhe pikërisht në këtë kontekst dua të ndalem te një çështje që e konsideroj thelbësore: në historinë tonë, arsimi ka qenë shumë më tepër sesa proces i transmetimit të dijes. Ai ka qenë një instrument i ruajtjes së gjuhës, i ndërtimit të vetëdijes dhe i mundësimit të zhvillimit shoqëror.
Në këtë rrugëtim historik, pikërisht nga vend ku jemi sot, vlen të kujtohet edhe kontributi i Arbër Xhaferit për themelimin e Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, por edhe të figurës së shquar të Ernest Koliqit, të cilit i jemi mirënjohës për meritat për projektin për arsimimin dhe edukimin e shqiptarëve të Maqedonisë. Poashtu, në këtë kontekst, merita të veçanta kanë edhe të punësuarit e parë të Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, të cilët me shumë sakrificë mbajtën gjallë këtë institucion.
Në të ardhmen, shpresoj të shof këtë Institut të bëhet një qendër aktive e mendimit shkencor, e hulumtimit, e dokumentimit dhe e promovimit të trashëgimisë sonë. Duhet të vazhdojë të krijojë debat, të prodhojë ide, të afrojë studiuesit dhe të ndërton ura bashkëpunimi me institucionet akademike, Univerzitetet, brenda dhe jashtë vendit.
Si ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e konsideroj veçanërisht të rëndësishme që kultura dhe trashëgimia të shihen edhe si hapësira të komunikimit, njohjes dhe mirëkuptimit ndërmjet bashkësive që jetojnë në vendin tonë. Diversiteti ynë kulturor nuk duhet të shihet si një ndarje, por si një pasuri dhe potencial për zhvillimin e përbashkët të shoqërisë.
Le t’i shfrytëzojmë këto festa jo vetëm për të kujtuar atë që kanë bërë brezat para nesh, por edhe për të reflektuar mbi atë që duhet të bëjmë ne sot.
Urime Festat e Nëntorit!





