BallinaLajmeUniversiteti i Tetovës- me klençka /„Parlamenti Studentor nuk është pronë e BDI-së,...

Universiteti i Tetovës- me klençka /„Parlamenti Studentor nuk është pronë e BDI-së, as trofe i VLEN-it“

www.telegrami.mk

Kur studentët duhet të luftojnë për të drejtat e tyre, profesorët heshtin, rektori nuk dëgjohet, ndërsa partitë politike duket se kanë më shumë interes për kontrollin e Parlamentit Studentor sesa për pavarësinë e tij!

Kuvendi Studentor ka dorëzuar kërkesë zyrtare në Ministrinë e Drejtësisë më 31 gusht 2026.

Universiteti i Tetovës nuk është një universitet i zakonshëm në historinë e arsimit shqiptar në Maqedoni. Ai është universiteti i parë me mësim në gjuhën shqipe, i ngritur mbi një histori sakrifice, rezistence dhe përpjekjesh për arsimimin universitar në gjuhën amtare. Prandaj, është paradoksale që pikërisht në këtë institucion, kur diskutohet një çështje kaq e rëndësishme si e drejta e studentëve shqiptarë për t’i dhënë provimet profesionale në gjuhën shqipe, të shfaqen kaq shumë paqartësi, heshtje dhe kalkulime politike.

Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës më 31 gusht 2026 iu drejtua zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë, përmes një kërkese të dorëzuar në arkivin e ministrisë, drejtuar ministrit Jeton Shasivari. Kërkesa kishte të bënte me organizimin në gjuhën shqipe të provimit të jurisprudencës, provimit për noterë, përmbarues dhe provimeve të tjera profesionale shtetërore.

Por këtu fillon një tjetër debat: çfarë ndodh me përfaqësimin studentor pasi dërgohet një letër zyrtare? A mbaron përgjegjësia me protokollimin e një dokumenti, apo Parlamenti Studentor duhet të vazhdojë të jetë në ballë të debatit publik, sidomos kur propozimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk i përmbush të gjitha kërkesat e studentëve?

Në këtë histori nuk mund të anashkalohet as ndikimi i politikës brenda Universitetit të Tetovës. Për vite me radhë, ky institucion është perceptuar si një hapësirë ku ndikimi partiak, sidomos i BDI-së, ka pasur peshë në strukturat akademike dhe institucionale. Një pjesë e kuadrove të tij kanë ndërtuar edhe karrierë politike, ndërsa universiteti ka qenë burim i kuadrove për poste të rëndësishme shtetërore.

Kjo nuk është arsye për të përgjithësuar apo për të vënë në dyshim integritetin e profesorëve, por është arsye e mjaftueshme për të kërkuar transparencë: a është Parlamenti Studentor vërtet i pavarur nga ndikimet partiake, apo vazhdon të funksionojë nën hijen e hierarkive politike dhe akademike?

Sot, në vend që debati të përqendrohet vetëm te zgjidhja e çështjes së jurisprudencës, në opinion po shtrohen edhe pyetje për raportet ndërmjet kryesisë aktuale të Parlamentit Studentor dhe një pjese të stafit akademik të Fakultetit Juridik. Ka pretendime për trysni dhe përpjekje për të ndryshuar përbërjen drejtuese, madje përflitet edhe për preferenca rreth asaj se kush duhet të marrë drejtimin e ardhshëm. Këto pretendime kërkojnë sqarim publik, jo gjykim pa prova.

Por pyetja politike është shumë më e gjerë: a po tentohet që Parlamenti Studentor të mbahet nën kontrollin e ndikimeve të vjetra partiake BDI, ndërsa njëkohësisht pushteti aktual, përmes VLEN-it, të krijojë ndikimin e vet?

Nuk do të ishte hera e parë që studentët shndërrohen në terren të konkurrencës ndërmjet partive. BDI-ja, e cila për vite ka pasur ndikim në universitet, nuk mund ta konsiderojë Parlamentin Studentor si pronë politike. Por as VLEN-i, vetëm pse është pjesë e pushtetit, nuk mund të pretendojë se studentët duhet të rreshtohen pas ministrit të vet. Studentët nuk janë as rezervë elektorale e opozitës, as dekor politik i pushtetit.

Edhe më shqetësues është kontrasti ndërmjet titujve të shumtë akademikë dhe mungesës së debatit publik. Ku janë profesorët e Fakultetit Juridik? Pse nuk dalin në debate televizive për ta sqaruar publikisht çështjen e provimit të jurisprudencës? Pse nuk e dëgjojmë qëndrimin e tyre profesional për propozimin e ministrit Shasivari? Nëse kanë argumente juridike, le t’i paraqesin para opinionit. Universiteti nuk është institucion ku mendimi akademik duhet të mbyllet pas dyerve të fakultetit.

Edhe heshtja e rektorit është një çështje që meriton përgjigje. Pavarësisht afërsive politike që mund t’i atribuohen me VLEN që llogaritet normale…., rektori duhet të përfaqësojë institucionin dhe interesin akademik, jo interesat e ndonjë partie. Për një çështje që prek drejtpërdrejt studentët dhe gjuhën në të cilën ata arsimohen, opinioni ka të drejtë të presë një qëndrim të qartë nga drejtuesi i universitetit.

Ndërkohë, frika nga reagimet e mundshme të pushtetit, nga ministrja e Arsimit Vesna Janevska apo nga kryeministri Hristijan Mickoski, nuk mund të jetë justifikim për heshtjen intelektuale të stafit të fakultetit juridik . Askush nuk duhet të ketë frikë të mbrojë një qëndrim profesional, qoftë edhe kur ai bie ndesh me interesat e qeverisë.

Universiteti nuk është zyrë partiake dhe Parlamenti Studentor nuk është degë rinore e asnjë partie.

Në anën tjetër, edhe kryesia aktuale studentore në tre universitete duhet të kuptojë se legjitimiteti nuk buron vetëm nga zgjedhjet e brendshme, por nga përfaqësimi real i interesave të studentëve. Përçarjet eventuale ndërmjet unioneve, mungesa e koordinimit dhe garat e parakohshme për liderë të rinj nuk i shërbejnë kauzës studentore. Në këtë moment, studentët kanë nevojë për bashkim rreth kërkesave konkrete, jo për gara se kush do të bëhet lideri i ardhshëm.

Është e çuditshme që në një universitet me histori të tillë, të rinjtë duhet të dëshmojnë se kanë më shumë guxim për të ngritur çështje publike sesa disa prej atyre profesorëve që kanë ndërtuar karrierë të tërë akademike.

Universiteti i Tetovës nuk u themelua për të prodhuar karrieristë politikë, as për të ushqyer ambiciet e partive. Ai u themelua që shqiptarët të kenë arsimim, dije dhe dinjitet institucional në gjuhën e tyre.

Dhe nëse sot Parlamenti Studentor po përballet me përpjekje për ndikim, përgjigjja nuk duhet të jetë ndërrimi i një kontrolli partiak me një tjetër. Përgjigjja duhet të jetë pavarësia.

Sepse studentët nuk kanë nevojë për profesorë që ua caktojnë qëndrimet, as për ministra që ua diktojnë orientimin, as për parti që ua zgjedhin liderët.

Kanë nevojë për një Parlament Studentor që nuk pyet se kujt i shërben një reagim, por nëse ai reagim i shërben studentit.

Universiteti i Tetovës si universitet më i vjetër dhe më i madh duhet të jetë universitet i studentëve, jo universitet i partive. Dhe Parlamenti Studentor duhet të jetë zëri i studentëve, jo altoparlanti i pushtetit apo i opozitës. Njëherë për një herë ia kanë dalur ta ruajnë Parlamentin studentor nga rrizgjedhjet …sa do të qëndrojnë…?!…www.telegrami.mk

Meswut Shabani

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments