BallinaLajmeMinistria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive vazhdon konsultimet për Strategjinë e multikulturalizmit dhe...

Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive vazhdon konsultimet për Strategjinë e multikulturalizmit dhe kohezionit shoqëror 2027–2032

Shkup, 6 nëntor  – Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive po vazhdon procesin e konsultimeve për hartimin e Strategjisë për Multikulturalizëm dhe Kohezion Shoqëror për periudhën 2027–2032. Sot u mbajt dita e dytë e takimit konsultativ, ku morën pjesë profesorë universitarë, ekspertë të fushave përkatëse, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësues të institucioneve.

Takimi ka për qëllim përfshirjen e ekspertizës profesionale dhe shkëmbimin e mendimeve e propozimeve konkrete, të cilat do të shërbejnë si bazë për përcaktimin e prioriteteve dhe masave që do të përfshihen në strategjinë e re.

Pas hapjes së takimit dhe fjalës hyrëse të ministrit të Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, punimet po zhvillohen përmes prezantimeve tematike dhe diskutimeve të hapura me pjesëmarrësit.

Në kuadër të agjendës së ditës së dytë, vëmendje e veçantë u kushtohet dy fushave prioritare: institucioneve dhe mediave. Përmes kontributit të ekspertëve dhe profesorëve universitarë, po trajtohen çështjet që ndërlidhen me rolin e institucioneve në avancimin e multikulturalizmit, përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërmjet bashkësive, si dhe rëndësinë e mediave në promovimin e dialogut ndërkulturor, mirëkuptimit dhe kohezionit shoqëror.

Programi përfshin edhe sesione diskutimi, gjatë të cilave pjesëmarrësit kanë mundësi të paraqesin qëndrimet, sugjerimet dhe rekomandimet e tyre, me synimin që dokumenti strategjik të jetë gjithëpërfshirës dhe të reflektojë realitetin dhe nevojat e shoqërisë.

Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive mbetet e përkushtuar në zhvillimin e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës, duke siguruar pjesëmarrjen aktive të institucioneve, komunitetit akademik, ekspertëve dhe organizatave të shoqërisë civile në hartimin e Strategjisë për Ndërkulturalizëm dhe Kohezion Shoqëror 2027–2032.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments