Në dhjetë vendbanime të Komunës së Bërvenicës sot po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune. Raundi i parë u mbajt më 18 tetor, por asnjëri nga gjashtë kandidatët nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme. Të drejtë vote më 18 tetor kishin 16.256 qytetarë, ndërsa dalja në votime ishte 46,56 për qind, përkatësisht votuan 7.565 qytetarë. Numrin më të madh të votave e fituan kandidatët e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së.
Votimi filloi në orën 07:00, kur u hapën vendvotimet, dhe do të zgjasë deri në orën 19:00. Në Listën Zgjedhore janë të regjistruar 16.256 votues, prej të cilëve 449 janë me punë të përkohshme jashtë vendit, ndërsa në burg ose paraburgim ndodhen nëntë votues.
