Shkup, 28.10.2026 – Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Agon Ferati, sot realizoi vizitë në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, ku u prit nga rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, rektori Fetaji, i shoqëruar nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Fati Iseni, si dhe Prof. Inor. Dr. Murat Aliu, e njoftoi ministrin Ferati për zhvillimet aktuale në universitet, projektet infrastrukturore, sfidat me të cilat përballet institucioni, si dhe proceset që synojnë avancimin e arsimit të lartë dhe përmirësimin e kushteve akademike.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për studentët, mbështetjen e zhvillimit akademik dhe forcimin e rolit të universiteteve në zhvillimin shoqëror.Ministri Ferati vlerësoi rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm me institucionet akademike dhe të trajtimit të çështjeve që lidhen me zhvillimin e arsimit, mundësitë për të rinjtë dhe perspektivën e gjeneratave të reja.
Në kuadër të vizitës, ministri Ferati mori pjesë edhe në panelin e diskutimit me temë “Marrëveshja e Ohrit dhe brezi që nuk pret: 25 vjet që lamë pas, 25 vjet që kemi përpara”, ku u diskutuan zhvillimet përgjatë 25 viteve nga Marrëveshja e Ohrit, rëndësia e saj për marrëdhëniet ndëretnike dhe perspektivat e gjeneratave të reja në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.



