“Dosja e Maqedonisë është shumë komplekse, ne meritonim të ishim pjesë e BE-së shumë kohë më parë, por për shkak të çështjeve artificiale nuk mund t’i nisim ende negociatat”Por, këto çështje nuk u përmenden fare nga krerët e BE-së dhe liderët e Ballkanit Perëndimor të cilët u mblodhën në Milloçer të Malit të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit. Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, vlerësoi se javët dhe muajt në vijim do të jenë vendimtarë për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt integrimit evropian. Maqedonia nuk u përmend.
“Për Malin e Zi, do të jetë vendimtare arritja në vijën e ‘finishit’ të procesit të anëtarësimit në BE; për Serbinë, zgjedhjet e së dielës së ardhshme; për Shqipërinë, ruajtja e ritmit në rrugën drejt integrimit evropian; ndërsa për Kosovën, zgjedhja vendimtare për të vazhduar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe sundimin e ligjit”, deklaroi Marta Kos, Komisionere për Zgjerim e BE-së.
Kancelari gjerman, Fridrih Merc, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen dhe të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve mes vete, pasi siç tha, ngecja e dialogut mes tyre është bërë pengesë për ecjen përpara të të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Në vitin 2018, Procesi i Berlinit refuzoi dhe hodhi poshtë përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës. Nëse duam të krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, nuk mund t’i hedhim benzinë asaj flake, por duhet t’i përmbahemi bazës evropiane”, theksoi Fridrih Merc, Kancelar gjerman.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkoi rikthimin e zotimeve të Samitit të Londrës të vitit 2018, të cilat lidhen me drejtësinë për krimet e kryera gjatë luftës dhe zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
“Në shtetin tim janë mbi 500 persona të zhdukur dhe, së fundmi, në Zubin Potok, kemi gërmuar 23 trupa të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe në prill të vitit 1999. Jemi optimistë për kohën që na pret, sepse bashkëpunojmë dhe e mbajmë veten të zënë. Të zënë duke u mbështetur në vlerat e BE-së, duke ia mbyllur derën Kremlinit dhe, në të njëjtën kohë, duke u fokusuar në punësimin e të rinjve dhe sundimin e ligjit”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Në samitin në Mal të Zi, në fokus ishin rritja ekonomike, konkurrueshmëria dhe siguria. Mali i Zi shtoi si prioritet të katërt të kryesimit të tij tranzicionin e gjelbër dhe të qëndrueshëm. Synimi është lidhja më e fortë ekonomike e rajonit përmes Tregut të Përbashkët Rajonal dhe afrimi i tij me tregun e vetëm të BE-së. Kancelari gjerman foli edhe për protestat në Shqipëri dhe në vendet e tjera. Merc tha se dhuna nuk duhet të jetë kurrë opsion, për asnjërën palë.
“Këto protesta na japin një mesazh se duhet të vazhdojmë me procesin e zgjerimit dhe duhet të sigurohemi që qytetarët të përfitojnë nga ai. Më lejoni të jem i sinqertë në dy aspekte. I pari: kur ballafaqohemi me protesta në BE dhe këtu në rajon, dhuna asnjëherë nuk duhet të jetë opsion nga asnjëra palë”, thotë Fridrih Merc, Kancelar gjerman.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli me ironi para mediave, duke pyetur nëse duhet të këndojë apo thjesht të shprehë kënaqësinë që ndodhet në Mal të Zi.
“Çfarë duhet të bëj? Të këndoj apo thjesht të them se sa i lumtur jam që jam në Malin e Zi, të bukur, i cili është i vetmi vend ku mund të kesh një helikopter mbi kokë sa herë që vjen?”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë. /Alsat/
