Rregulla të reja në fushën e armëve paralajmëroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke theksuar se qëllimi është lehtësimi i procedurave për qytetarët që i plotësojnë kushtet ligjore, por njëkohësisht edhe forcimi i kontrollit mbi posedimin dhe përdorimin e armëve.
Toshkovski foli në ceremoninë në Teatrin Popullor në Veles, me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Federatës së Gjuetarëve të Maqedonisë. Ai uroi për jubileun anëtarët e Federatës dhe brezat e gjuetarëve që kanë kontribuar në zhvillimin e gjuetisë në vend.
Duke folur për reformat në fushën e armëve, ministri tha se me marrjen e detyrës ishte konstatuar se më shumë se 5.000 qytetarë i plotësonin kushtet për marrjen e lejes, por nuk e kishin marrë atë. Në të njëjtën kohë, sipas tij, armë posedonin edhe persona që nuk duhej t’i kishin.
“Një sistem i tillë nuk është as i drejtë, as i sigurt. Prandaj e ndryshuam”, theksoi Toshkovski.
Një nga risitë është platforma elektronike përmes së cilës do të dorëzohen kërkesat për blerjen e armëve. Parashihet edhe heqja e detyrimit për miratim paraprak për blerjen e municionit, ndërsa MPB-ja, përmes një sistemi qendror elektronik, do të ketë pasqyrë të sasive të blera.
Ligji i ri për armët parashikon gjithashtu mundësinë që me një kërkesë të vetme të kërkohet blerja e disa armëve, si dhe rregullimin e çështjes së mbushjes së municionit.
Ndër ndryshimet e propozuara është edhe zgjerimi i të drejtës për bashkëpërdorim të armës, ndërsa afati për rregullimin e statusit të armëve të trashëguara do të zgjatet nga dy në katër muaj.
Gjithashtu, parashihet një afat prej një viti për rregullimin e rasteve të caktuara kur afati është humbur ose kur kërkesa është refuzuar për shkak të skadimit të afatit. Kjo vlen edhe për armët që duhet të legalizohen, të riregjistrohen ose të dorëzohen vullnetarisht.
Toshkovski theksoi se thjeshtësimi i procedurave administrative nuk nënkupton edhe zbutje të kontrollit.
“Çdo lehtësim për gjuetarin e ndershëm shkon së bashku me kontroll më të rreptë”, deklaroi ministri.
Sipas tij, ligji i ri do të mundësojë gjurmimin elektronik të armës nga prodhimi deri te përdoruesi përfundimtar, ndërsa pronarët do të kenë detyrim që armët t’i ruajnë në mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme.
Ndryshimet ligjore përfshijnë edhe teknologjitë moderne. Toshkovski theksoi se do të rregullohet edhe çështja e armëve dhe pjesëve të armëve të prodhuara me printerë 3D dhe makina CNC, të cilat paraqesin një sfidë të re krahasuar me kohën kur ishte miratuar ligji i mëparshëm.
Ministri theksoi se armët legale duhet të jenë në duart e qytetarëve të përgjegjshëm, ndërsa për armët ilegale, siç tha ai, nuk ka vend në shoqëri.
“Besim për ata që i respektojnë rregullat, tolerancë zero për ata që i shkelin”, theksoi Toshkovski.
Ai nënvizoi edhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, Federatës së Gjuetarëve dhe shoqatave të gjuetarëve, me qëllim që problemet eventuale gjatë zbatimit të zgjidhjeve të reja ligjore të identifikohen me kohë.
Në ceremoninë në Veles, Toshkovski edhe një herë uroi 80-vjetorin e Federatës së Gjuetarëve, duke theksuar rolin e gjuetarëve në njohjen dhe ruajtjen e natyrës.
“Gjuetari e njeh më së miri këtë vend. Çdo mal, çdo luginë, çdo shteg. Ndoshta pikërisht për këtë ai e di më së miri edhe sa vlen ajo”, porositi Toshkovski.
