BallinaLajmeBotaShefi i NATO-s i përgjigjet Moskës: Jemi shumë më të fortë se...

Shefi i NATO-s i përgjigjet Moskës: Jemi shumë më të fortë se Rusia, nuk mund të na mposhtë kurrë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca është shumë më e fortë se Rusia dhe se Moska nuk ka kapacitet për ta mposhtur atë në një përballje konvencionale.

Në një intervistë për Euronews, Rutte u përpoq të qetësonte shqetësimet për përshkallëzimin e tensioneve në krahun lindor të NATO-s, veçanërisht në vendet baltike, ku janë shtuar sulmet hibride që lidhen me Rusinë.

“Jemi shumë më të fortë se Rusia. Ajo nuk mund të na mposhtë kurrë”, deklaroi Rutte, duke theksuar se NATO mbetet e bashkuar dhe se nuk ka një kërcënim të menjëhershëm ndaj territorit të aleancës.

Deklarata e kreut të NATO-s vjen në një periudhë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës dhe kur Moska ka përdorur edhe kërcënime bërthamore në retorikën e saj ndaj Perëndimit.

Rutte konfirmoi se NATO i është përgjigjur një letre të dërguar nga Rusia, në të cilën Moska kërcënonte se do të përdorte të gjithë arsenalin e saj, përfshirë armët bërthamore, nëse territori rus do të vihej nën kërcënim. Në deklaratat ruse përmendej në mënyrë të veçantë Kaliningradi, enklava ruse e vendosur në kufi me Lituaninë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se Rusia duhet t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të ndalë kërcënimet bërthamore. Sipas tij, pavarësisht retorikës së ashpër të Moskës, realiteti ushtarak tregon një epërsi të ndjeshme të NATO-s.

Rutte vlerësoi gjithashtu se lufta në Ukrainë nuk po zhvillohet në favor të Rusisë, duke argumentuar se fronti ka mbetur kryesisht i bllokuar. Ai paralajmëroi megjithatë se kjo nuk do të thotë se Rusia nuk është në gjendje të shkaktojë dëme të mëdha, veçanërisht përmes sulmeve ajrore.

Sipas tij, përshkallëzimi i sulmeve ruse ndaj Ukrainës e bën edhe më urgjente forcimin e mbrojtjes ajrore të Kievit, ndërsa dimri që po afrohet shton presionin mbi infrastrukturën energjetike ukrainase.

I pyetur për sistemet Patriot dhe mundësinë që Ukraina të prodhojë vetë këto sisteme, Rutte nuk dha një përgjigje konkrete. Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë diskutuar një marrëveshje që do t’i mundësonte Kievit të prodhonte sistemin e mbrojtjes ajrore, duke reduktuar varësinë nga furnizimet e huaja.

Rutte foli gjithashtu për rritjen e shpenzimeve evropiane për mbrojtjen. Vendet anëtare të NATO-s kanë marrë angazhimin për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ku 3.5% do të orientohen drejt kapaciteteve të drejtpërdrejta ushtarake.

Por ky angazhim ngre një tjetër debat në Evropë, nëse vendet evropiane do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, sa prej këtyre fondeve duhet të shkojnë për industrinë evropiane të armëve dhe sa për industrinë amerikane të mbrojtjes.

Rutte e konsideroi këtë një debat dytësor në krahasim me nevojën për forcimin e aleancës, ndërsa theksoi se Evropa duhet të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e saj.

Sipas tij, vendet evropiane duhet të jenë në gjendje të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, përfshirë përballimin e kërcënimeve që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Deti i Kuq.

Ndërkohë, administrata amerikane po shqyrton një rol më të kufizuar të SHBA-së në mbrojtjen evropiane, me fokus më të madh në Indo-Paqësor dhe në Kinë. Kjo do të kërkonte që vendet evropiane të marrin përsipër një pjesë më të madhe të barrës financiare dhe ushtarake.

Në këtë kuadër, Rutte tha se NATO duhet të përshtatet me realitetin e ri të sigurisë, duke ruajtur njëkohësisht unitetin e aleancës dhe angazhimin amerikan.

Mesazhi kryesor i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s mbetet i qartë se pavarësisht kërcënimeve dhe retorikës së ashpër nga Moska, aleanca e Atlantikut të Veriut e konsideron veten dukshëm më të fuqishme ushtarakisht se Rusia dhe nuk sheh një kërcënim të menjëhershëm ndaj territorit të saj.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments