BallinaLajmeVon der Leyen sjell vizitë, por jo lajme të mira.Udhërrëfyesit e rinj...

Von der Leyen sjell vizitë, por jo lajme të mira.Udhërrëfyesit e rinj të BE-së anashkalojnë Shkupin, Prishtinën dhe Sarajevën.

Bashkimi Evropian po përgatit udhërrëfyes të veçantë me hapa të qartë dhe afate indikative – por jo për të gjitha vendet. Sipas „Politico“, e cila u referohet dy zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, dokumentet janë të destinuara vetëm për katër vende që konsiderohen kandidatet më të avancuara: Mali i Zi, Ukraina, Moldavia dhe Shqipëria.

Qëllimi është që procesi i gjatë i anëtarësimit të marrë një strukturë më të qartë dhe udhëzime konkrete. Udhërrëfyesit duhet të tregojnë se çfarë pritet nga secili prej këtyre vendeve dhe të përmbajnë afate indikative për përfundimin e fazave të caktuara të negociatave. Për herë të parë, atyre do t’u jepet një perspektivë më e qartë: nëse përmbushin reformat dhe detyrimet kryesore, do të mund të avancojnë drejt anëtarësimit. Në të njëjtën kohë, këto udhërrëfyes do të krijonin detyrime edhe për vendet anëtare të BE-së.

Në udhërrëfyes do të përcaktohen detyra dhe prioritete konkrete, si dhe afate paraprake për mbylljen e kapitujve negociues. Komisioni tashmë po ndërmerr hapa për të përshpejtuar procesin me kandidatët më të avancuar. Mali i Zi i ka hapur të 33 kapitujt, prej të cilëve 16 janë mbyllur përkohësisht. Ukraina dhe Moldavia gjatë vitit 2026 kanë hapur kapituj të rinj negociues.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më herët gjatë shtatorit paralajmëroi mbështetje të orientuar për kandidatët që kanë shënuar përparimin më të madh.

Sipas „Politico“, në këtë fazë udhërrëfyesit nuk do t’u ofrohen kandidatëve të tjerë që ndodhen në një fazë më të hershme – ndër ta Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina.

Kështu, ndërsa von der Leyen paralajmëron vizitë dhe bisedime në rajon, për Maqedoninë e Veriut mesazhi që përcjell „Politico“ është i qartë: udhërrëfyesit dhe perspektiva më e qartë për anëtarësim, në këtë moment, janë rezervuar për vende të tjera.

Përparimi drejt anëtarësimit edhe më tej do të bazohet vetëm në merita – në atë se sa secili vend i përmbush kriteret dhe zbaton reformat e nevojshme.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments