Znj. Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit të Kosovës dhe U.D. e Presidentit të Kosovës,
Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës,
Deputetëve të Kuvendit të Kosovës,
Z. Bedri Hamza, kryetar i PDK-së,
Z. Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së,
Z. Ardian Gjini, kryetar AK-së,
Z. Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate të Kosovës,
Z. Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së,
Të nderuara Zonja,
Të nderuar Zotërinj,
Më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë shpallën aktgjykimin politik, që në emër të popullit të Kosovës, anashkaloi dispozitën themelore të Kushtetutës së saj: ligjshmërinë e përkufizimit të Republikës së Kosovës shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm.
Përmes këtij veprimi, ata krijuan një precedent, që paraqet rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike.
Për këtë arsye kërkojmë nga Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe U.D. e Presidentit të Kosovës, zonja Albulena Haxhiu, që në konsultim me Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, dhe në përputhje me nenin 131 të Kushtetutës së Kosovës TË SHPALLË GJENDJEN E JASHTËZAKONSHME.
Kërkojmë nga drejtuesit e partive politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të gjejnë konsensusin e domosdoshëm për zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
Arsyetimi
- Më 8 tetor 2008, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën, përmes së cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të sqaronte “nëse shpallja e njëanshme e Pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare”.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli konkluzionet: “Akti i miratimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, nuk ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj miratimi i kësaj deklarate nuk ka shkelur asnjë rregull të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Në vend që të respektohen konkluzionet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në pikën 75 të përmbledhjes së asaj që u lexua gjatë shqiptimit të aktgjykimit, fillimisht Trupi Gjykues i përbërë nga Çarls L. Smith III, Kristof Barte, Ginel Metro dhe Fergal Gejnor, konstatoi se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe persona të tjerë në udhëheqjen e UÇK-së, përfshirë anëtarët e tjerë të Ndërmarrjes Kriminale të Përbashkët, kishin dy objektiva: pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e kontrollit politik dhe institucional mbi atë që shpresonin se do të ishte një Kosovë e pavarur dhe se nuk e gjykuan të nevojshme të përcaktonin nëse këta dy objektiva ishin, në vetvete, kriminalë apo të paligjshëm. - Përkundër faktit që neni 162 i Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës përkufizon në mënyrë të qartë, se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Kosovës, Trupi Gjykues i përbërë nga Çarls L. Smith III, Kristof Barte, Ginel Metro dhe Fergal Gejnor morën vendim në kundërshtim të plotë me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Vendimi për të mos “e gjykuan të nevojshme të përcaktonte, nëse objektivi për pavarësinë e Kosovës ishte, në vetvete, kriminal apo i paligjshëm” është përkufizim negativ, që jo vetëm nuk përfill vlerësimin e GJND-së për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, por edhe ligjshmërinë së dispozitës themelore kushtetuese: përkufizimin e Republikës së Kosovës shtet i pavarur. - Në procesin gjyqësor kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt, Isak Musliut dhe atë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë hodhi poshtë si të pabaza përpjekjet për të shtrembëruar qëllimin e projektit për pavarësinë e Kosovës dhe prezantimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët.
Përkundër dy vendimeve në dy proceset e lartpërmendura gjyqësore, që përbëjnë jurisprudencën ndërkombëtare rreth kësaj çështjeje, Trupi Gjykues e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët dhe, në pikën 80 të përmbledhjes së asaj që u lexua gjatë shqiptimit të aktgjykimit, theksohet se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës përdori mjete kriminale për realizimin e qëllimit për pavarësinë e Kosovës.
Duke pasur parasysh se në të kaluarën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së i kishte dënuar shpalljet e pavarësive të vendeve të caktuara, siç është rasti iRodezisë Jugore, i Republikës Turke të Qipros Veriore dhe i Republikës Sërbska, për shkak të përdorimit të dhunës dhe shkeljeve të rënda të normave të së drejtës së përgjithshme humanitare ndërkombëtare, Trupi Gjykues i përbërë nga Çarls L. Smith III, Kristof Barte, Ginel Metro dhe Fergal Gejnor do të përpiqet t’i ekspozojë si fakte mijëra faqe të rasteve të fabrikuara nga Shërbimi Sekret i Serbisë, për të krijuar opinionin se pavarësia e Kosovës është realizuar përmes vrasjeve sistematike, arrestimeve, ndalimeve, trajtimeve çnjerëzore dhe formave të tjera të dhunës, që janë në kundërshtim të plotë me normat e së drejtës së përgjithshme humanitare ndërkombëtare. - Përtej padrejtësive që u janë bërë katër njerëzve të pafajshëm, me dënime drakoniane mbi prova të sajuara nga pala ndërluftuese që ka dashur ta mbajë Kosovën të pushtuar, vendimi i Trupit Gjykues i përbërë nga Çarls L. Smith III, Kristof Barte, Ginel Metro dhe Fergal Gejnor, i datës 16 shtator 2026, paraqet rrezik të drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike.
Ky vendim është në kundërshtim të plotë me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me konkluzionet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për më tepër, duke shtrembëruar mjetet e përdorura për realizimin e qëllimeve politike të Luftës Çlirimtare të Kosovës, vendimi gjyqësor i 16 shtatorit 2026 u jep një armë të fuqishme forcave luftënxitëse që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Përballë kësaj Gjendjeje të Jashtëzakonshme, që rrezikon ardhmërinë e shtetit të pavarur të Kosovës, kërkohet të lihen anash të gjitha dallimet partiake, religjioze dhe krahinore, dhe të bashkuar t’i zhbëjmë Dhomat e Specializuara, që janë shndërruar në gjenerator të konflikteve të ardhshme në këtë pjesë të Ballkanit.
Prishtinë, më 22.09.2026
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”
Bardhyl Mahmuti, Kryetar
Adnan Asllani Zëvendëskryetar

